Kushtetuesja ende pa përgjigje, Qeveria nis përgatitjen e programit qeverisës – takim dyditor i kabinetit
Qeveria e Kosovës ka nisur një takim të përbashkët dyditor të kabinetit qeveritar me qëllim përgatitjen e programit qeverisës për mandatin e ri. Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se procesi synon të shndërrojë zotimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore dhe ekspozenë e paraqitur para deputetëve në një…
Lajme
Qeveria e Kosovës ka nisur një takim të përbashkët dyditor të kabinetit qeveritar me qëllim përgatitjen e programit qeverisës për mandatin e ri.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se procesi synon të shndërrojë zotimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore dhe ekspozenë e paraqitur para deputetëve në një program konkret qeverisës, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, në zgjedhjet e dhjetorit 2025 qytetarët i dhanë qeverisë një besim të madh, i cili duhet të përkthehet në rezultate për vendin.
“Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se gjatë takimit dyditor do të punohet për të përkthyer zotimet politike në plane konkrete qeverisëse me projekte dhe objektiva të qarta.
“Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati”, theksoi ai.
Kurti shtoi se orientimi i qeverisë do të mbetet i fokusuar në interesin publik, zhvillimin e vendit dhe ruajtjen e integritetit shtetëror.
“Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë”, ka deklaruar ai./lajmi.net/