​Kushtetueses i kërkohet të vendosë masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

Gjykatës Kushtetuese po i kërkohet të vendosë masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, pas dorëzimit të dy kërkesave të Partisë Demokratike të Kosovës. Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese ka në diskrecionin e saj mundësinë për të vendosur…

Lajme

15/09/2026 15:06

Gjykatës Kushtetuese po i kërkohet të vendosë masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, pas dorëzimit të dy kërkesave të Partisë Demokratike të Kosovës.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se Gjykata Kushtetuese ka në diskrecionin e saj mundësinë për të vendosur masë të përkohshme pa pritur komentet e palëve.

Sipas tij, duke u bazuar edhe në praktikën e deritanishme të Gjykatës, vendimi për masën e përkohshme mund të merret brenda pak ditësh.

Një vendim i tillë do të pezullonte legjislaturën e njëmbëdhjetë dhe ekzekutivin e sapozgjedhur, duke rikthyer, sipas Jakajt, qeverinë në detyrë të legjislaturës së kaluar, derisa të merret një vendim përfundimtar mbi kushtetutshmërinë e procesit.

“Masa e përkohshme mund të vendoset në diskrecion të Gjykatës Kushtetuese, pa i marrë komentet dhe nuk do të duhej të kalonte më shumë se kjo ditë, e premte, që kjo gjykatë të vendosë. Nga praktika, Gjykata vendos brenda dy-tre ditëve, sepse derisa ta regjistrojnë lëndën, derisa ta marrë në shqyrtim gjyqtari raportues dhe derisa ta shqyrtojë se a është çështje kushtetuese. A përbën problem në kuptimin që të bëhet dëm i pariparueshëm nga një Kuvend që është me shkelje kushtetuese dhe nga një Qeveri që ka dalë nga një Kuvend që është konstituuar në mënyrë jokushtetuese, dhe pastaj të ndiqen procedurat e tjera që bie tek nxjerrja e vendimit brenda 60 ditëve, ku Gjykata Kushtetuese është e detyruar të nxjerrë një vendim për çështjen konkrete”, deklaron ai.

Sa i përket vendimit të mundshëm për dy kërkesat e PDK-së, Jakaj vlerëson se Gjykata mund të konstatojë se Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit të përcaktuar dhe ta kthejë procesin në pikën ku ka lindur kontesti, në momentin e zgjedhjes së nënkryetares nga PDK-ja.

Sipas tij, mungesa e një dispozite të qartë kushtetuese për pasojat e moskonstituimit të Kuvendit brenda 30 ditësh e bën më pak të mundshme që Gjykata të vendosë drejtpërdrejt për shpërndarjen e Kuvendit.

“Për arsye që mungon një dispozitë, si me thënë e skicuar, e vizatuar për Kuvendin e Kosovës që, në rast të moskonstituimit brenda afatit prej 30 ditësh, të shkojmë në zgjedhje ose të ketë ndonjë pasojë tjetër, atëherë Gjykata Kushtetuese vetëm se ka me konstatuar që Kuvendi nuk është konstituuar brenda 30 ditëve dhe duhet ta kthejë në pikën, në gjendjen në të cilën është propozuar zonja Çitaku për nënkryetare të Kuvendit. Ne besojmë që aty e rikthen çështjen. E afati 30-ditor nuk ka ndonjë pasojë, përveç nëse Gjykata Kushtetuese e ndërron praktikën, tenton ta formësojë, ta interpretojë normën kushtetuese atje tek çështja e shpërndarjes së Kuvendit, në mënyrë që t’i japë një mësim të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, veçanërisht të partisë së parë, Lëvizjes Vetëvendosje… Është pak e mundshme që Gjykata Kushtetuese ta shpërndajë Kuvendin, nuk ka ndonjë rast që Gjykata, kur nuk ka pasur ndonjë dispozitë, ta shpërndajë Kuvendin. Nuk presim që ta shpërndajë”, shton ai.

KP ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Kushtetuese se a do të vendosë masë të përkohshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Kuvendi i Kosovës është konstituuar më 13 shtator pa nënkryetaren nga PDK-ja, meqë të njëjtit e kanë pezulluar, siç kanë thënë, përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut, pasi e njëjta në tentativën e parë s’i ka marrë votat e nevojshme.

Pas konstituimit, po të njëjtën ditë është formuar Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti.