Kush po e bllokon konstituimin? Vetëvendosje kishte shumicën, por vendosi të mos e hedhë në votim raportin për mandate

Sikurse të martën, edhe sot ka dështuar zhvillimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht që u mblodhën në sallën plenare, seanca konstituive nuk u zhvillua as sot. Seanca u ndërpre nga kryesuesi i seancës nga Lëvizja Vetëvendosje, Avni Dehari dhe e njëjta pritet të vazhdojë më 19 prill, duke filluar nga ora 12:00.…

Lajme

17/04/2025 14:21

Sikurse të martën, edhe sot ka dështuar zhvillimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Pavarësisht që u mblodhën në sallën plenare, seanca konstituive nuk u zhvillua as sot.

Seanca u ndërpre nga kryesuesi i seancës nga Lëvizja Vetëvendosje, Avni Dehari dhe e njëjta pritet të vazhdojë më 19 prill, duke filluar nga ora 12:00.

Dehari njoftoi se pas zhvillimit të takimit që patën me përfaqësuesit e subjekteve politike duhet të kuptojë numrin e deputetëve në sallë.

Pasi bëri të ditur se në sallë janë 100 deputetë të pranishëm, e që ishte kourum i mjaftueshëm krejt papritur Dehari njoftoi se seanca po ndërprehet.

E në fakt kjo tregon diçka tjetër. Lëvizja Vetëvendosje pati numër të mjaftueshëm të deputetëve të pranishëm në sallë për t’u zhvilluar kjo seancë, por pavarësisht kësaj vendosi të mos e hedhë në votim raportin për mandate dhe kourum.

Në sallë ishin 100 deputetë, kurse për kalimin e raportit nevojiten vetëm 51 vota, saktësisht një shumicë e thjeshtë.

Në momentin kur Dehari vendosi që të ndërpresë seancën të pranishëm në sallë ishin 52 deputetë që e përkrahin raportin të mjaftueshëm për të kaluar atë.

Kësisoj pa u dhënë asnjë arsye konkrete procedural- seanca u ndërpre duke e lënë kështu vendin në një pikëpyetje të madhe se a do të arrihet formimi i institucioneve apo jo.

Kurse nga partitë tjera politike në vend, si PDK, LDK dhe AAK kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e bën qëllimshëm këtë bllokim vetëm që të përfitoje kohë dhe të sigurojë përkrahje në lidhje me votimin e qeverisë.

Sipas tyre në fakt Albin Kurti nuk i ka votat dhe përkrahjen e nevojshme për t’iu votuar qeveria e tij.

Sipas tyre madje Kurti ndjehet i pasigurt edhe për të hedhur në votim emrin e Kryeparlmentarit të cilin e kanë vendosur tashmë.

Herën e parë kjo seancë dështoi për shkak se Albin Kurti dhe kabineti i tij qeveritar nuk kishin dorëzuar me kohë dorëheqjen e tyre. PDK, LDK dhe AAK refuzuan të votonin raportin e komisionit për mandate duke deklaruar se Kurti dhe ministrat e tij kanë vazhduar të dalin në zyrat e Qeverisë pavarësisht “dorëheqjes” që thanë se e kanë dhënë.

Mbetet të shihet nëse për të tretën herë radhazi- të shtunën më 19 prill nga ora 12:00 do të votohet ky komision e do të procedohet me pikat e tjera për votim./Lajmi.net/