Kush hyn në “matematikat” e Kurtit për formimin e Qeverisë?

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka më pak se dy javë kohë për t’i paraqitur Kuvendit përbërjen e Qeverisë së re për miratim. Ndërsa afati përfundon më 26 tetor, analistët vërejnë një atmosferë më të qetë dhe më të favorshme për negociata ndërpartiake, pas përfundimit të rundit të parë të zgjedhjeve lokale, më 12…

Lajme

14/10/2025 15:11

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka më pak se dy javë kohë për t’i paraqitur Kuvendit përbërjen e Qeverisë së re për miratim.

Ndërsa afati përfundon më 26 tetor, analistët vërejnë një atmosferë më të qetë dhe më të favorshme për negociata ndërpartiake, pas përfundimit të rundit të parë të zgjedhjeve lokale, më 12 tetor.
Sipas tyre, këto zgjedhje janë ndërlidhur edhe me procesin e gjatë të konstituimit të Kuvendit, i cili është përmbyllur vetëm në fund të javës së kaluar, pas disa muajsh bllokadë.

Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus thotë se partitë kanë pritur përfundimin e zgjedhjeve lokale, për të shmangur ndikimin që mund të sillte formimi i një koalicioni qendror në garat komunale.

“Aleancat që mund të bëhen, mund ta rrisin irritimin te partitë e tjera që të mos i përkrahin. E, në komuna të caktuara, ku gara është shumë e ngushtë, kjo është shumë qenësore”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, më 10 tetor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e mandatoi Kurtin për formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, me vetëm 48 ulëse të fituara, Vetëvendosjes i nevojiten edhe 13 për të siguruar shumicën prej 61 deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Kurti paralajmëroi se, gjatë kësaj jave, do t’i nisë bisedimet për krijimin e Qeverisë, por nuk dha detaje se me cilat parti do të zhvillohen këto diskutime.

Pak ditë më parë, bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, përjashtoi mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës dhe me Listën Serbe – partinë më të madhe të komunitetit serb në Kosovë – por e la të hapur mundësinë për bisedime me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Një kombinim i mundshëm mes këtyre dy partive, sidomos në dritën e rezultateve të zgjedhjeve lokale, shihet si skenar real edhe nga analisti Krasniqi.

“Nëse LDK-ja dhe Vetëvendosja arrijnë marrëveshje për koalicion në nivel qendror, ato mund të koordinohen që LDK-ja ta ketë një garë më të lehtë në Prishtinë dhe Vetëvendosja të mos i ndezë të gjithë motorët për ta fituar këtë garë”, thotë ai.

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve treguan një garë të ngushtë në Prishtinë mes kandidatit të LDK-së, Përparim Rama, dhe atij të Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, me një diferencë prej rreth 700 votash.

Për pasojë, të dy kandidatët do të përballen kokë më kokë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 9 nëntor.

Rund të dytë votimesh do të ketë edhe në 16 komuna të tjera. Në disa prej tyre, kandidati i Vetëvendosjes garon me kandidatin e LDK-së, e në disa me atë të PDK-së.

Afrim Hoti, profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, pret që këto dy parti të jenë “pjesë e matematikave” të Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë dhe jo partitë tjera, si AAK-ja dhe Nisma, “për shkak të fuqisë së vogël politike”.

“Kjo është një rrugë njëdrejtimëshe, për aq kohë sa duan të ecin përpara drejt formimit të institucioneve. Alternativa do të ishte shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë për të cilën nuk mendoj se ekziston konsensus apo vullnet mes subjekteve kryesore politike”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Ai shpjegon se ky qëndrim bazohet edhe te rezultatet e zgjedhjeve lokale, të cilat, sipas tij, treguan se “harta politike” nuk do të ndryshonte ndjeshëm as pas zgjedhjeve të reja parlamentare.

Një tjetër faktor përcaktues për formimin e Qeverisë, sipas analistëve, është edhe posti i presidentit.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit të ardhshëm, dhe sipas profesorit Afrim Hoti, ajo nuk gëzon më të njëjtën mbështetje që kishte në vitin 2021, kur lista e saj Guxo u bashkua me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.

“Ndaj, rrethanat e reja sjellin në tryezën e bisedimeve edhe postin e presidentit”, thotë ai.
Presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me dy të tretat e 120 votave.

Nëse kandidati nuk i siguron ato në dy rundet e para, në të tretin mjafton shumica e thjeshtë.

Nëse as atëherë nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet dhe mbahen zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

“Kështu që, mendoj se më shumë bëhet fjalë për kalkulime të partive politike, të cilat bazohen në frikën e tyre për jetëgjatësinë e Qeverisë, sesa për dallime të mëdha përmbajtjesore që ato i kanë për të formuar një koalicion qeverisës”, thotë Krasniqi.

Kurti deklaroi të martën se ende nuk ka nisur bisedimet me partitë për formimin e Qeverisë së re.
Nëse ai nuk arrin t’i sigurojë 61 vota deri më 26 tetor, presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kanë dërguar sinjale të ndryshme muajve të fundit për mundësinë e bashkëpunimit me Vetëvendosjen, e cila ka shprehur gatishmëri të bashkëpunojë edhe me pakicat joserbe për formimin e Qeverisë.

Radio Evropa e Lirë bëri përpjekje të kontaktojë disa zyrtarë të lartë të LDK-së – partisë së përmendur nga Vetëvendosja si partnere e mundshme – por nuk ishin të qasshëm.

Kurti tha se nuk do të presë afatin e fundit, nëse bisedimet me ndonjërën nga partitë rezultojnë të suksesshme.