Kush është turk “denbabaden”?

Në fillim të këtij viti, Turqia hapi regjistrat e gjendjes civile për publikun, një arkiv monumental ku njerëzit mund të gjurmojnë prejardhjen e tyre që në kohët e perandorisë otomane. Një faqe interneti shtetërore, mes shërbimeve të shumta, tani ofron edhe historikun e prejardhjes familjare me dokumente të regjistruara që në vitin 1882.

Lajme

03/04/2018 12:49

Që kur u ofrua ky shërbim, nëpër grupet e WhatsApp-it, nëpër zyrat e kafenetë turke kanë shpërthyer diskutimet për origjinën e gjithësecilit, për emigrimet, përzierjet e etnive dhe pastërtinë e racës. 5 milionë turq u futën te regjistri brenda dy ditëve të para. Interesi ishte aq i madh sa faqja u bllokua. Qeveria u detyrua ta ndalojë shërbimin për shumë ditë.

Shteti turk ka rreth një shekull që u imponon banorëve një ndjenjë të fortë identiteti kombëtar, që përjashtonte praninë e etnive të tjera dhe që theksonte “gjakun e pastër turk”. Bërja publike e të këtyre të dhënave i ka lënë njerëzit pa fjalë. Teksa turqit po nisin të pranojnë ngadalë larminë etnike që ekziston mes tyre, ideja 100-vjeçare e pastërtisë së racës, e krijuar dhe e imponuar nga shteti, ka nisur të shkërmoqet.

Disa turq, sidomos familjet që kanë jetuar për shumë breza në të njëjtat qytete, kanë konfirmuar rrënjët e tyre të thella. Të tjerë duken të stresuar. Një nacionalist turk mësoi se stërgjyshja e tij ishte me origjinë kurde. Një miku im shkrimtar u habit kur pa se stërgjyshi i tij quhej Isak. Një fqinja ime zbuloi se kishte rrënjë europiane dhe vendosi të aplikojë për dyshtetësi.

Identiteti etnik është parë për shumë kohë si çështje që prek sigurinë kombëtare. Shumë armenë të perandorisë otomane vdiqën gjatë dëbimeve të vitit 1915, të tjerët u detyruan të kthehen në myslimanë për të mbijetuar. Ndërrimi i fesë u ruajt si sekret edhe në familje. Shumë nipër e mbesa të krishterësh e kanë mësuar shumë vonë që ishin myslimanë të konvertuar. Shumë turq kanë zbuluar vetëm kohët e fundit që kishin prejardhje armene.

Të dhënat gjenealogjike ofrohen tani për përdorim vetjak dhe tregojnë se sa me kujdes i ka gjurmuar shteti turk të dhënat e qytetarëve në dy shekujt e fundit. “Mësova se origjina e mamasë sime është nga Jerevani”, shkruan dikush në faqen Eksi Sozlik, ku janë lënë me mijëra komente për çështjen në fjalë. “Babai, ndërkohë, vjen nga Gjeorgjia. Jam pa fjalë.”

E majta turke u shqetësua nga interesi i tepërt që u shfaq për origjinën. Ata druajnë se kjo mund të çojë në përçarje e deri në luftë civile. Por kryeredaktori i të përjavshmes armene “Agos” e mirëpriti publikimin e të dhënave. Ai intervistoi një profesor antropologjie që e quajti këtë lëvizje si “revolucionare” dhe “një shenjë serioze normalizimi”, pasi rrëzon imagjinatën e nacionalistëve turq për pastërti etnike. Në fakt, një studim i vitit 2012, në gazetën “Regjistrimet Vit Pas Viti të Gjenetikës Njerëzore”, zbuloi se turqit ishin 38% europianë, 35% nga Lindja e Mesme, 18% nga Azia Jugore dhe 9% nga Azia Qendrore.

Otomanët i zgjidhnin komplekset etnike me atë që quhej “sistemi milet”. Për shekuj me radhë janë lejuar të përdoren ligje të ndryshme për çdo komunitet, për ato myslimane, katolike, greko-ortodokse dhe hebraike. Bashkësitë fetare ishin të lira të bënin biznes, të hapnin shkollat e veta, gazeta dhe spitale, për sa kohë që i paguanin taksa sulltanit. Por në vitet 1830, modernizuesit e Perandorisë Otomanë sollën një koncept nënshtetësie të marrë nga perëndimi e që çoi në rrëzimin e sistemit “milet”. Një grup intelektualësh turq, të njohur si “Otomanët e Rinj”, e kundërshtuan reformën fuqimisht.

Në vitet 1870 grupi paraqiti një koncept të ri për Otomanizmin, duke promovuar një nënshtetësi të vetme perandorake që ndërthurte ligjet islamike me parimet e frymëzuara nga konstitucionalizmi europian. Ata përhapën idenë e nacionalizmit mysliman: sunitët do të ishin identiteti sovran që u jepte lirinë edhe feve të tjera. Nëse humbej karakteri sunit i shtetit, Otomanët e Rinj mendonin se perandoria do të shpërbëhej. Otomanizmi ishte formula e tyre për ta mbajtur të paprekur.

Në fillim të shekullit të njëzetë, kur modernizimi nisi të zhvillohet me hapa më të shpejtë, problemet me komplekset gjenealogjike u shumëfishuan: Xhonturqit, ose Turqit e Rinj, themelues të Republikës Turke, e kthyen nacionalizmin mysliman në një formë nënshtetësie që bazohej te ideja franceze e laicizmit, ku qeveria ishte e ndarë nga ndikimi fetar.

Problemet e komplekseve etnike janë përpjekur t’i zgjidhin edhe me forcë: një zhvendosje masive e popullsive në vitin 1923 solli çnatyralizimin e më shumë se 1.2 milionë grekëve në Turqi dhe të 300,000 turqve në Greqi. Atyre pak grekëve e armenëve që vazhduan të jetonin në Turqi u thanë t’i harronin rrënjët e tyre.

Pas vdekjes së Ataturkut, në vitet 1940, klubet raciste të përhapura nëpër Turqi e çuan edhe më tej nacionalizmin, duke formuar identitetin kombëtar të turqve të pastër. Turqit, sipas tyre, vinin nga fushat e Azisë Qendrore. Kurdët ishin turq që vinin nga malet, ndërsa etnitë e tjera shiheshin si të rrezikshme e të huaja. Si të majtët, ashtu dhe islamikët, e hidhnin poshtë ndërthurjen e modernizmit me një shteti-komb mono-etnik; dhe shteti i Ataturkut i ndëshkonte të dyja grupet. Poeti marksist, Nazim Hikmet, u dënua me 28 vite burg; filozofi dhe poeti islamik, Mehmet Akif Ersoy, ndenji dhjetë vite i dëbuar në Egjipt sepse vuri në diskutim nacionalizmin turk.

Shumë nacionalistë e kanë parë përzierjen e konservatorizmit dhe neoliberalizmit të Rexhep Tajip Erdoganit si kërcënim ndaj identitetit kombëtar turk, që në vitin 2002, kur Partia e tij për Zhvillim dhe Drejtësi erdhi në pushtet. Por qeveria e Erdoganit është lëvduar nga të tjerë për shkak se i ka lejuar historianët të diskutojnë haptazi historinë e armenëve otomanë, si dhe për heqjen e kufizimeve ndaj kulturës kurde.

Me Erdoganin, identiteti kombëtar i bazuar në “racën e pastër turke” është zëvendësuar pak nga pak me nacionalizmin mysliman të Otomanëve të Rinj. Drejtuesit e partisë së Erdoganit besojnë se heqja e përkatësisë fetare dhe etnike nga identifikimi kombëtar i Turqisë do të përsëriste gabimet e Otomanëve modernizues të viteve 1830.

Duke hapur regjistrin e popullsisë për publikun, qeveria turke, ndoshta pa dashur, mund t’i ketë ndryshuar idetë tona për një kombësi të pastër turke dhe ka sjellë fundin e miteve të racës së pastër.

Por koha kur ky regjistër u bë publik është llogaritur mirë politikisht. Me ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Afrin, në veri të Sirisë, dhe me zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 që po afrojnë, qeveria turke shpreson të konsolidojë nacionalizmin mysliman si identitet kryesor të Turqisë.

Pra, kjo është mënyra e partisë së Erdoganit për të thënë se nacionalizmi mysliman është ndryshe nga nacionalizmi republikan: me përqafimin e ri që i ka bërë islamit, shteti turk ka aq shumë vetëbesim sa tani i lejon qytetarët të zbulojnë rrënjët e tyre etnike. Turqit mund të jenë krenarë për rrënjët e tyre dhe të gjejnë gjatë kërkimeve arsyet racionale që shpjegojnë veprimet e qeverisë në politikën e jashtme.

Arkivat që ishin mbuluar nga pluhuri u hapën për t’u kujtuar turqve jo vetëm që paraardhësit e tyre vijnë nga një larmi etnish, por edhe për t’u treguar se çfarë zgjerimi ka pasur perandoria otomane, një mbizotërim që dikur përhapej në tri kontinente.

Kaya Genç, New York Times