Kush është Jeton Zulfaj, që Kurti ia besoi koordinimin e agjendës evropiane?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një riorganizim në strukturën që merret me dialogun teknik me Serbinë në kuadër të Bashkimit Evropian, duke emëruar Jeton Zulfajn në krye të këtij procesi. Sipas njoftimit zyrtar, Zulfaj do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në koordinimin e agjendës evropiane të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet përkatëse shtetërore,…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një riorganizim në strukturën që merret me dialogun teknik me Serbinë në kuadër të Bashkimit Evropian, duke emëruar Jeton Zulfajn në krye të këtij procesi.
Sipas njoftimit zyrtar, Zulfaj do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë në koordinimin e agjendës evropiane të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet përkatëse shtetërore, transmeton lajmi.net.
Ai gjithashtu është caktuar si Koordinator Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje (RGF), një rol që përfshin bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian dhe mbikëqyrjen e zbatimit të mbështetjes financiare dhe reformuese nga BE-ja.
Ky ndryshim vjen pasi Besnik Bislimi, i cili deri më tani udhëhiqte dialogun, është transferuar në një funksion tjetër brenda Zyrës së Kryeministrit, ku do të merret me çështje të ekspertizës dhe monitorimit strategjik.
Zulfaj ka qenë pjesë e stafit të afërt të Kurtit që nga viti 2021, duke shërbyer si këshilltar politik. Në daljet e tij publike, ai është shquar për qëndrime që mbështesin politikat e qeverisë dhe shpesh ka reaguar ndaj kritikave të partnerëve ndërkombëtarë.
Para angazhimit të tij në qeverinë aktuale, ai ka qenë aktiv në sektorin e shoqërisë civile, kryesisht në projekte që lidhen me luftimin e korrupsionit. Në të kaluarën, emri i tij është lidhur edhe me bashkëpunime politike, përfshirë edhe me Fatmir Limajn, megjithëse vetë Zulfaj i ka mohuar këto pretendime publikisht./lajmi.net/