Kusari: Pezullimi i Dialogut Strategjik u bë për shkak të vlerësimeve që lidhen me Kushtetuesen

Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Alternativës, ka thënë se nuk mund të jetë gjë e mirë për Kosovën pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA-ja. Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo ka pohuar se arsye e kësaj mund të jenë deklaratat që janë dhënë për Gjykatën Kushtetuese nga krerët e shtetit. “Situata është paksa më e…

Lajme

26/09/2025 23:49

Mimoza Kusari-Lila, kryetarja e Alternativës, ka thënë se nuk mund të jetë gjë e mirë për Kosovën pezullimi i Dialogut Strategjik nga SHBA-ja.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo ka pohuar se arsye e kësaj mund të jenë deklaratat që janë dhënë për Gjykatën Kushtetuese nga krerët e shtetit.

“Situata është paksa më e komplikuar sesa do të donim ta kishim me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka qenë, ose nuk mund të jetë lajm pozitiv pezullimi i Dialogut Strategjik, përkundër se ai është filluar në këtë mandat, gjegjësisht edhe me diskutimet e presidentes Vjosa Osmani, edhe me vazhdimin dhe fasilitimin e kryeministrit Albin Kurti, për shkak se flasim për degë të ekzekutivit të cilat kanë qenë pjesë e trajtimit.”

“Në këtë situatë, unë jam e bindur, ose kjo qasje ka qenë më tepër në komunikimin ose në vlerësimet që janë dhënë për opinionet ose për aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, se çka do tjetër”, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka theksuar se mendon që do të vazhdojnë problemet serioze, siç thotë ajo, në funksionimin e brendshëm, përderisa mund të kemi vlerësime se ka ndikim qoftë në Gjykatën Kushtetuese, qoftë në gjykatat dhe prokuroritë e vendit.

“Në bindjen time si institucionaliste dhe në përvojën e gjatë dhe në ballafaqimin me sistemin e drejtësisë në Kosovë, mund të them se ka munguar gjithmonë garanca e drejtësisë së paanshme në Republikën e Kosovës. Në periudhën e pasluftës kemi dështuar seriozisht për të krijuar një sistem, i cili dështim ka prodhuar situata absurde tjera si Gjykata Speciale. Sikur të kishim një sistem të mirëfilltë të drejtësisë në vendin tonë, nuk kishte pasur insistim prej Administratës Amerikane për të krijuar Gjykatën Speciale.”

“Nuk kishim pasur nevojë të kishim hezitime në të gjitha aspektet, sikur të kishim aktvendime të mirëfillta. Kjo e njëjta është portretizuar edhe te vendimmarrja në Gjykatën Kushtetuese. Tash, a do të duhej të ishin këto reagime nga krerët më të lartë të shtetit? Ndoshta, në retorikën publike nuk e shoh si të nevojshme”, ka thënë Kusari-Lila.