Kusari-Lila përmend dy herë radhazi shkuarjen në zgjedhje: Nëse s’ka zgjidhje, të flasim për zgjedhje të reja

Deputetja e zgjedhur nga koalicioni Vetëvendosje- Lista Guxo dhe Alternativa, Mimoza Kusari – Lila, pati kritika të shumta PDK, LDK-në dhe AAK-në, të cilat tha se janë përgjegjëse për bllokimin e formimit të institucioneve të reja. Kusari Lila, tha se në rast se vazhdon dështimi i konstituimit të Kuvendit duhet parë opsione tjera, përfshirë ftesën…

Lajme

17/04/2025 14:00

Deputetja e zgjedhur nga koalicioni Vetëvendosje- Lista Guxo dhe Alternativa, Mimoza Kusari – Lila, pati kritika të shumta PDK, LDK-në dhe AAK-në, të cilat tha se janë përgjegjëse për bllokimin e formimit të institucioneve të reja.

Kusari Lila, tha se në rast se vazhdon dështimi i konstituimit të Kuvendit duhet parë opsione tjera, përfshirë ftesën për partitë politike për të diskutuar veprimet e ardhshme.

Ajo e quajti të pakuptimtë se si partitë që ishin në opozitë mandatin e kaluar ‘po hezitojnë’ të marrin mandatet që fituan në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kusari-Lila fillimisht ka thënë se nëse nuk ka zgjidhje, duhet të koordinohen dhe të flitet për zgjedhje të reja- fjali kjo të cilën të cilën e përsëriti dy herë radhazi gjatë deklarimit të sotëm pas dështimit të seancës konstituive.

“Është për keqardhje dhe rrethanat në të cilat është vendosur organi më i lartë, Kuvendi. Ajo çfarë do të duhej të ishte proces i thjeshtë, më shumë teknik se politik, e kanë vendosur në një rrafsh politik dhe e kanë shprehur jo vetëm pabesinë e atyre mandateve por edhe gjithashtu mos pranimin e rezultateve. Zgjedhjet kanë qenë me një rezultat të qartë- treguan se nuk janë pajtuar as me rezultatin më herët as me rezultatin tani. Dhe me çdo kusht duhet të jenë në funksion të bllokimit të shtetit. Nuk ishte ky votim ose propozim i qeverisë, ose i partisë së parë, kjo është procedurë e thjeshtë, e cila asnjëherë më parë nuk është bllokuar në formën si tani. Ju kanë shterrë të gjitha format kreative të opozitarimit të cilat asnjëherë nuk i kanë pasur, dhe tashmë vendosin vetëm të bëjnë bllokadë të shtetit’’, ka thënë Kusari./Lajmi.net/