Kusari-Lila për paralajmërimin e Rakiqit për reciprocitet: Nuk mund të aplikohet dhe nuk ekziston

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se ditën e enjte pritet të zhvillohet seanca e radhës parlamentare. Ajo tha se si fillim do të mbahet debat parlamentar i ftuar nga AAK-ja në kuadër të sesionit vjeshtor, e që ka të bëjë me rritjen e çmimeve.

Lajme

17/01/2022 12:15

Ajo tha se si fillim do të mbahet debat parlamentar i ftuar nga AAK-ja në kuadër të sesionit vjeshtor, e që ka të bëjë me rritjen e çmimeve.

Por që sipas saj planifikohet që të njëjtën ditë të vazhdohet me punimet e seancave të kaluara, pas përfundimit të seancës së re.

“Planifikojmë që të njëjtën ditë të vazhdohet me punimet e seancave të kaluara, pas përfundimit të seancës së re.Në rend të ditës do të jenë marrëveshjet ndërkombëtare, me mundësin e vazhdimit të punimeve edhe ditën e premte nga pikat që kanë mbetur pa u trajtuar”, tha ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka komentuar deklaratën e ministrit serb, Goran Rakiq i cili paralajmëroi dje vendosje të reciprocitetit në rast se në Kosovë nuk do të lejohet të votohet për zgjedhjet e 3 prillit që do të mbahen në Serbi.

Kusari-Lila tha se reciprociteti si koncept bëhet në mes të dy shteteve, nuk bëhet në kuadër të një shteti në mes të dy etnive.

“Kosova është shtet multietnik, prandaj si koncept i tillë në kuadër të territorit të Kosovës nuk mund të aplikohet  dhe nuk ekziston.Reciprociteti si koncept bëhet në mes të dy shteteve, e jo në kuadër të një shteti. Kosova është shtet multietnik , prandaj si koncept i tillë në kuadër të territorit të Kosovës nuk mund të aplikohet.Rezoluta e Kuvendit ka rikonfirmuar vullnetin e partive politike në vend në raport me një proces i cili ka të bëjë me sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.Deklarimi për zgjedhje qofshin ato parlamentare apo ato me referendum, të shtetasve të tjerë me dy shtetësi është paraparë dhe është theksuar se ekzistojnë metoda se si votojnë, pra me shkuarje atje , me postë apo në ambasada”, tha Kusari-Lila.

Ajo shtoi se beson se si parim dhe proces është përcaktuar dhe mund të bëhen përgatitjet dy tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, në mënyrë që të kuptohet se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se një ligj i aplikueshëm është për të gjithë njëjtë në raport me dy shtetësitë apo të drejtat që kanë me këto shtetësi.

“Nuk e besoj fare se ka prishje në raportin e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, partneriteti përfshin diskutim e dialogim ndonjëherë edhe jo-pajtim, por Kosova edhe para shpalljes së pavarësisë edhe pas shpalljes është bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Edhe gjatë ditës së shtunë u deklaruan lidhur me masakrën e Reçakut, prandaj edhe në procese të tjera që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të Kosovës nuk ka asnjë alternativë tjetër përpos bashkëpunimit me partnerët.Ka pasur shumë sfida por edhe do të ketë, por jemi të përcaktuar që bashkëpunimi dhe koordinimi pozitë e opozitë të jetë ajo që tregon në këto ballafaqime që nuk janë të lehta”,shtoi deputetja e VV-së.

Sipas saj është për tu përshëndetur qëllimi i partive opozitare, lidhur me referendumin dhe është shembull shumë i mirë në ndërtimin e konsensusit.

“E kur flasim për bazat e shtetit, të gjithë jemi bashkë”./Lajmi.net/