Kusari-Lila kërkon konsensus të gjerë për hapat e radhës lidhur me Specialen
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është shprehur se për hapat e mëtejmë lidhur me Dhomat e Specializuara duhet të ketë një konsensus të gjerë shoqëror dhe angazhim të të gjitha institucioneve. E pyetur për qëndrimin ndaj nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ajo tha se për këtë çështje…
Lajme
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është shprehur se për hapat e mëtejmë lidhur me Dhomat e Specializuara duhet të ketë një konsensus të gjerë shoqëror dhe angazhim të të gjitha institucioneve.
E pyetur për qëndrimin ndaj nismës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ajo tha se për këtë çështje duhet të bashkohen institucionet dhe subjektet politike.
“Tash unë jam në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Gjithashtu, është pjesa që unë jam ministre, nuk jam deputete. Megjithatë, jam e mendimit ashtu siç e kam thënë e është, po thuhet shpesh fatkeqësisht, që duhet të ketë një konsensus të gjerë shoqëror mbi hapat e radhës, duhet të jenë edhe të menduar mirë në aspektin ligjor, por gjithashtu edhe në rritjen e probabilitetit të lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë. Do të thotë, përpjekja e përbashkët, duhet angazhim të plotë, i të gjitha niveleve, edhe natyrisht në aspektin politik, edhe të partive të deri tashmë opozitare e gjithashtu edhe e qeverisë e Kuvendit me shumicën, në mënyrë që gjithë mbështetja në këtë rrugëtim ligjor shumë sfidues për vendin, të dalë me sukses në fund”, tha ajo.
Një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar se propozimin do ta shqyrtojë nga aspekti juridik, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe efektet që një ndërhyrje e tillë mund të ketë në procedurat pranë Dhomave të Specializuara.