Kurtit i “dalin duarsh” ministrat, njëri e akuzon policinë për incidentin me maturantët serb në veri, tjetri e quan “propagandë serbe”
Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i është shtuar edhe një gajle. Pasi nuk po arrin të ia siguroi votat Albulena Haxhiut për t’u bërë kryeparlamentare, tash dy ministra të tij nuk po kanë qëndrime të njëjta për incidentin me maturantët serb në veri, shkruan lajmi.net Gjatë ditës së djeshme, një grup i maturantëve serb parakaluan…

Lajme
Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti i është shtuar edhe një gajle.
Pasi nuk po arrin të ia siguroi votat Albulena Haxhiut për t’u bërë kryeparlamentare, tash dy ministra të tij nuk po kanë qëndrime të njëjta për incidentin me maturantët serb në veri, shkruan lajmi.net
Gjatë ditës së djeshme, një grup i maturantëve serb parakaluan në Mitrovicën e Veriut, duke bërë thirrje e veprime provokuese kundër shqiptarëve.
Për të mos lejuar eskalimin e situatës, Policia e Kosovës reagoi shpejtë duke e mbajtur gjithçka nën kontroll.
Ky reagim i Policisë së Kosovës nuk u pritë mirë nga serbët që e hiperbolizuan duke thënë se pati përdorim të dhunës.
Shkaku i kësaj, kryediplomati serb, Ivica Daçiq tha se shteti i Serbisë ka lëshuar fletarrestim për policin Dylot Brahimi, i cili ishte njëri nga policët që reagoi, duke mos lejuar situatën që të mos eskaloj .
Daçiq tha në një njoftim se “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.
Përveç Daçiqi edhe partia e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, doli me reagim, duke hedhur dyshime se Policia e Kosovës përdori forcë ndaj maturantëve serb në veri.
“Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dënon incidentin e djeshëm në veri të Mitrovicë, gjatë së cilit dyshohet se zyrtarë të Policisë së Kosovës përdorën forcë të papërshtatshme ndaj një të diplomuari nga shkolla e mesme. Ministri Rashiq ka folu me kolegun e tij, Xhelal Sveçla dhe i ka kërkuar që ‘ti ndërmarrë të gjitha masat që të sigurohet se raste të tilla nuk do të ndodhin më. Rashiq po ashtu ka njoftuar se do të dorëzojë një kërkese zyrtare te Inspektorati i Policisë së Kosovës të hënën për një hetim të rrethanave të këtij rasti…”, thuhet ndër të tjera në reagimin e partisë së Rashiqit.
Ministri për Punë të Brendshme, Xhelal Sveçla në anën tjetër ka bërë dy reagime duke dënuar veprimet e maturantëve serb. Ai kishte thënë se ky organizim u përdorë për qëllime provokative dhe politike.
“Ja si duket propaganda serbe: Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngulfatje.”
“Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta!”
“Kjo propagandë mund të ketë efekt vetëm tek të painformuarit dhe qarqet nacionaliste në Serbi.”, tha Sveçla në postimin e tij sot.
Kurse, në reagimin e djeshëm, Sveçla kishte thënë se veprimet e maturantëve burimin e kanë nga regjimi i Vuçiqit.
Republika jonë demokratike garanton të gjitha të drejtat sikurse nuk mund të lejojë që këto vlera demokratike të cënohen përmes akteve të ngjashme që burimin e kanë te regjimi autokrat e prorus i Vuçiqit. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim të mos bien në provokime të ngjajshme si dhe apeloj të mos instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar dhe kryekrimineli Radoiçiq që duan eskalim dhe destabilizim të situatës në Kosovë.”, kishte shkruar Sveçla dje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ende nuk ka dal me ndonjë reagim për këtë rast./lajmi.net/