Kurti viziton veprimtarin Mehmet Hajrizi në përvjetorin e demonstratave të vitit 1981: Një jetë në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981 ka vizituar veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi. Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Kurti ka theksuar se Hajrizi është një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare, i cili vjen nga një familje me histori…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në përvjetorin e protestave studentore të vitit 1981 ka vizituar veprimtarin e çështjes kombëtare Mehmet Hajrizi.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Kurti ka theksuar se Hajrizi është një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare, i cili vjen nga një familje me histori të gjatë të aktivizmit politik dhe përndjekjeve nga regjimi serb që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar.
Sipas Kurtit, Hajrizi për 15 vjet ka punuar në arsim duke edukuar breza të tërë nxënësish, ndërsa një nga momentet më të rënda të jetës së tij ishte arrestimi në sallën e mësimit para nxënësve, pas një arrestimi të parë që kishte ndodhur në vitin 1979.
Kurti kujtoi gjithashtu se në fillim të viteve ’70 u formua organizata ilegale “Grupi Revolucionar i Kosovës”, një nga organizatat më serioze të lëvizjes së asaj kohe, e cila për disa vite u udhëhoq nga Hajrizi. Ai theksoi se më vonë, së bashku me bashkëveprimtarët e tij, Hajrizi ishte pjesë e themelimit të shtypit klandestin, si “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Liria” dhe “Këngët e lirisë”, që përhapën frymën e rezistencës dhe kërkesat për liri, drejtësi dhe republikë.
Sipas kryeministrit, Hajrizi u arrestua më 18 dhjetor 1981 dhe më 10 korrik 1982 u dënua me 12 vjet burg të rëndë, së bashku me një grup veprimtarësh.
Kurti theksoi se lufta çlirimtare në Kosovë ishte rezultat i përpjekjeve të shumë brezave që punuan për liri dhe avancimin e çështjes kombëtare.
“Mirënjohje për të gjithë ata që u përpoqën e kontribuan për liri e bashkim”, ka shkruar Kurti. /Lajmi.net/