Kurti u takua me ministren Federale të Arsimit dhe Shkencës në Bosnjë, Jasna Duraković, flasin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, mirëpritën në takim ministren Federale të Arsimit dhe Shkencës të Bosnjë dhe Hercegovinës, Jasna Duraković. Palët biseduan mbi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe…

Lajme

24/09/2024 18:30

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, mirëpritën në takim ministren Federale të Arsimit dhe Shkencës të Bosnjë dhe Hercegovinës, Jasna Duraković.

Palët biseduan mbi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në fushat e tjera me interes të përbashkët.

Në njoftim  thuhet se gjatë bashkëbisedimit, kryeministri theksoi të arriturat tona në fushën e arsimit gjatë këtij mandati qeverisës, me theks të veçantë në arsimin publik falas, por edhe përkushtimin e Qeverisë në barazinë mes të gjitha komuniteteve dhe qasjes së barabartë pa dallim, duke potencuar procesin e subvencionimit të librave për të gjithë fëmijët.

“Ai nënvizoi se janë gjithsej 2670 nxënës të komunitetit boshnjak që vijojnë mësimin nga arsimi parashkollor e deri te ai i mesëm dhe i lartë, ndërsa numri i mësimdhënësve boshnjak është 486 në tërë Republikën e Kosovës. Në takim u trajtua dhe mundësia e shkëmbimit të stafit mësimdhënës, si dhe krijimi i komisioneve të përbashkëta që do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore në gjuhën boshnjake”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq ministrja Federale e Arsimit dhe Shkencës, Jasna Duraković, u shpreh e lumtur që ndodhet në Prishtinë dhe vlerësoi bashkëbisedimin me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministren Rexhepi, si dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e saj për rritjen e bashkëpunimit.

Nga ana e tij, Kryeministri i dëshiroi ministres qëndrim të frytshëm e produktiv në Kosovë, teksa e falënderoi atë për bisedën e sotme. /Lajmi.net/