Kurti: Tash e tutje do të angazhohem në aspektin organizativ

Albin Kurti ka sqaruar arsyen e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

21/01/2015 13:38

Albin Kurti ka sqaruar arsyen e dorëheqjes nga pozita e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një letre drejtuar aktivistëve të kësaj lëvizje, Kurti ka thënë se po lë pozitën e kryetarin, për t’u përqendruar më shumë në aspektin organizativ të partisë.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e Kurtit.

Si në aspektin politik e institucional, po ashtu edhe në atë ekonomik e shoqëror, Kosova kurrë nuk ka qenë më keq që prej se është shpallur pavarësia shtatë vite më parë. Koalicioni qeverisës që kushtëzohet prej Beogradit nëpërmjet Listës Serbe po e kthen prapa Kosovën në një shtet vasal të Serbisë, me varfëri e papunësi në popull, me krim e korrupsion në qeveri. Kur kësaj i shtohet edhe emigrimi i shtuar i të rinjve e të moshuarve, i grave, burrave e fëmijëve që kalojnë nëpër Serbi drejt Evropës perëndimore vetëm për të ikur nga Kosova, kuptojmë që e keqja në realitetin tonë e ka tejkaluar edhe imagjinatën më të errët.

Në anën tjetër, VETËVENDOSJE! asnjëherë nuk ka pasur më shumë simpati e vota në popull sesa në këtë kohë kur jemi në prag të shënimit të dekadës së parë të Lëvizjes sonë. Mirëpo, këtij aprovimi popullor që e gëzojmë kudo në Kosovë nuk i korrespodon një organizatë me struktura të fuqishme e rrjet të gjerë të aktivistëve dhe anëtarëve. Për pasojë, miratimi që koncepti, qëndrimet dhe aktivitetet tona hasin te qytetarët nuk po shoqërohet me përkrahje aktive e me angazhim konkret të tyre. Sot, nuk na nevojiten ide e program i ri, por një organizatë e re, që dëshirat i bën vullnet, ankesat i bën kritikë, e zemërimin e bën aksion.

Në Kosovë nuk ka zgjidhje pa popull dhe populli nuk është spektatori para televizorit por qytetarët në shesh. Popullsia si shoqëri është e ndarë në klasa dhe ne përgjithësisht e kemi mbështetjen e klasës së mesme. Sfida jonë vendimtare është mbështetja e domosdoshme nga të varfërit, nga ata që mezi mbijetojnë e kryesisht nuk e kanë as shkollimin e mesëm. E kemi obligim politik e moral, e kemi detyrë shoqërore e kombëtare që t’iu ndihmojmë të varfërve. Pa të varfërit në Kosovë nuk jemi me masat dhe vetëm masat i bëjnë transformimet e mëdha për të cilat Kosova ka nevojë jetike. Regjimi në fuqi nuk bie pa u ngritur të varfërit. Të varfërit nuk janë të përfaqësuar në institucione. Institucionet kanë pak ndjeshmëri për të varfërit.

Prandaj, ne nuk duhet thjesht ta marrim pushtetin porsi një stafetë nga koniuktura e sotme, ne duhet edhe të krijojmë pushtet të ri. Për botëkuptimin e VETËVENDOSJE!-s, pushteti nuk është sikur ajo monedha e vjetëruar, për të cilën flet Mallarmé, e që pasohet në qetësi nga dora në dorë. Pushteti është infrastruktura institucionale e një bote të nesërme shoqërore që e përfytyrojmë qysh sot në betejë e sipër.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që përfundoi me 11 janar 2015, morëm vendimin që ta vazhdojmë edhe për një vit ristrukturimin nëpër Qendrat tona. Po ashtu, thamë që unë do të kthehem në bazë sepse aty nevojitem më së shumti në një kohë kur Kosovës i nevojitet më së shumti vetëvendosja. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo për organizatën tonë. Mirëpo, që të bëhet e mundur një gjë e tillë, kam vlerësuar që nuk duhet të jem kryetar edhe këtë mandat. Thjesht, është e pamundur të punoj në bazë, me Qendrat e Pikat tona, me aktivistët që edhe e përbëjnë organizatën politike edhe e bëjnë një komunitet njerëzish, nëse në të njëjtën kohë jam edhe kryetar që duhet ta drejtoj e udhëheq të gjithë Lëvizjen. Nga menaxhimi prej lart duhet të kthehem te puna poshtë në mënyrë që ta lartësoj organizimin. Me fjalë të tjera, duhet zvogëluar aspekti reprezentativ për ta rritur atë organizativ.

E kuptoj brengën e shumë prej jush – se a thua ҫka mund të ndodh me Lëvizjen pa mua si kryetar i saj. Mirëpo, unë kam besim të pamatshëm në Lëvizjen dhe në të gjithë juve. Nuk mund të ketë vështirësi që na ndalin a sulme që na zmbrapsin.

Ky vendim është i jashtëzakonshëm. Sepse unë i përkas një Lëvizjeje të jashtëzakonshme siҫ është VETËVENDOSJE!. Unë s’kam qenë asnjëherë kryetar i zakonshëm. Dhe, tash, s’mund të jem zakonshëm kryetar.

Shteti republikan për drejtësi dhe bashkim dhe socialdemokracia për zhvillim e barazi nuk kanë alternativë. VETËVENDOSJE! është alternativa!”.