Kurti takohet me kancelarin austriak, kërkon avancimin e Kosovës drejt BE-së: Jemi gati për statusin e kandidatit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë takimit me kancelarin federal të Austrisë, Christian Stocker, kanë diskutuar për prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ekonomik në fushën e energjisë,…

Lajme

22/10/2026 12:12

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë takimit me kancelarin federal të Austrisë, Christian Stocker, kanë diskutuar për prioritetet e Qeverisë në mandatin e ri dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ekonomik në fushën e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, shkruan lajmi.net.

Ai ka përmendur edhe integrimin e Kosovës në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA) dhe përfshirjen në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian.

Sipas Kurtit, Kosova e ka përmbushur edhe kushtin e fundit ligjor për SEPA-n, ndërsa për roamingun pret që negociatat të nisin së shpejti.

Kreu i Qeverisë ka theksuar se mbështet qëndrimin e kancelarit austriak se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor.

Kurti ka kërkuar që vendet kandidate të trajtohen me kushte të barabarta, duke vlerësuar se Kosova është e gatshme të avancojë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Në fund të postimit, Kurti ka bërë edhe një referencë sportive, duke përmendur rezultatet e ndeshjeve të futbollit mes Kosovës dhe Austrisë.

“Pas 3:1 në Vjenë dhe 1:1 në Prishtinë, po afrohemi edhe në futboll”, ka shkruar ai. /Lajmi.net/