Kurti shpreh ngushëllime për tre kosovarët e vdekur në vendin e punës në Vjenë: Jemi në kontakt me Ambasadën, për të ofruar mbështetjen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në lidhje me vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës, në vendin e tyre të punës në Vienë të Austrisë. Ai është shprehur i tronditur nga ky lajm, shkruan lajmi.net. “Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në lidhje me vdekjen tragjike të tre qytetarëve të Kosovës, në vendin e tyre të punës në Vienë të Austrisë.
Ai është shprehur i tronditur nga ky lajm, shkruan lajmi.net.
“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe. Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me Ambasadën tonë në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.
Një aksident i rëndë në një kantier ndërtimi ka ndodhur dje rreth orës 14:15 në distriktin Alsergrund në Vjenë, Austri, ku shembja e një skelë ndërtimi rezultoi fatale për katër punëtorë.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë punimeve të betonit një pjesë e konstruksionit u rrëzua, duke zënë nën rrënoja pesë punëtorë.
Shërbimet emergjente arritën të shpëtojnë një person, i cili u dërgua në spital me lëndime, ndërsa katër të tjerë u nxorën pa shenja jete.
Nga viktimat, tre janë shqiptarë: Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj. Ky i fundit tashmë është konfirmuar zyrtarisht si shtetas i Republikës së Kosovës nga Ambasada e Kosovës në Austri. Ndërkohë, viktima e katërt është nga Bosnja.
Fillimisht u raportua se katër prej të bllokuarve ishin nga Kosova, por në bazë të konfirmimeve zyrtare të deritanishme, tre prej viktimave janë shtetas të Kosovës.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri, pasi ka konfirmuar se tri viktimat janë nga Kosova, ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të procedurave të mëtejshme.
Në këto momente të rënda, Ambasada ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe ka theksuar se do të vazhdojë të informojë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: