Kurti shkruan për vdekjen e të mbijetuarit të vetëm të masakrës së Shavarinës: Rrëfimi i tij, një nga dëshmitë më të fuqishme të masakrave serbe në Kosovë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pikëlluar në lidhje me vdekjen e Behar Topillës, të vetmit të mbijetuar nga masakra e kryer nga serbët në Shavarinë në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kurti ka thënë se njeriu që 26 vite më parë ka shpëtuar nga…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pikëlluar në lidhje me vdekjen e Behar Topillës, të vetmit të mbijetuar nga masakra e kryer nga serbët në Shavarinë në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurti ka thënë se njeriu që 26 vite më parë ka shpëtuar nga plumbat e forcave serbe, ka vdekur sot, në moshën 45 vjeçare, në Suedi.
Ai ka rrëfyer se si ka ndodhur kjo masakër.
“Më 30 prill të vitit 1999, forcat serbe filluan të shtinin me artileri në drejtim të dhjetëra fshatrave të Drenasit dhe Skenderajt. Mijëra njerëz i braktisën shtëpitë e tyre duke kërkuar strehim gjithandej dhe duke u zhvendosur drejt malesh e zonash më të thella. Pasi i dëbuan nga shtëpitë e tyre, forcat okupatore serbe nisën t’i gjurmonin të zhvendosurit kudo që ishin strehuar. Kështu në mesditën e 1 prillit 1999, njësite ushtarake serbe e morën një grup prej 176 personash që ishin strehuar në xhaminë e fshatit Qirez. Ndër ta ishte edhe Behar Topilla, i cili bashkë me dhjetëra të tjerë, mes torturash dhe dhunës fizike, përfundoi në radhë për t’u pushkatuar nga ushtarët serbë, pranë një grope te Shavarinat afër minierës së Feronikelit. Rrugës, atë e kishin plagosur duke e shpuar në krahë dhe duar me goditje me thikë. I zënë poshtë trupave të mbi 40 të vrarëve, Behari u shpëtoi plumbave dhe më pas ciflave të bombave. Rrëfimi i Behar Topillës, i regjistruar dhe i përshkruar disa herë, do të mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të të mbijetuarve të drejtpërdrejtë të masakrave të kryera nga forcat serbe, gjatë spastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët dhe gjenocidit të kryer ndaj tyre”, ka shkruar Kurti.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes Topilla dhe miqve të Beharit për vdekjen e tij.
“Behar Topilla, u kujtoftë gjithmonë mes nesh bashkë me historinë dhe rrëfimet e tij”, ka shkruar Kurti. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: