Kurti: Zgjedhjet e fundit treguan demokraci – Republika nuk ndërtohet me impunim dhe dhunë, por ndërtohet së brendshmi me punën tonë të përbashkët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në kuadër të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës nuk do të lëshojë pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Ai ka shtuar se…

Lajme

17/02/2026 11:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në kuadër të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Në fjalën e tij, Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës nuk do të lëshojë pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Ai ka shtuar se demokracia është jo vetëm një shprehje, por edhe një burim i sovranitetit të Kosovës, raporton lajmi.net

“Republika nuk lëshon pe kur është çështja e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe demokracisë popullore. Demokracia është edhe burim edhe shprehje e sovranitetit të Kosovës, ku përveç shqiptarëve Kushtetuta jonë njeh serbët, turqit, boshnjakët, ashaklinjtë, romët dhe goranët. Të gjithë janë pjesë e popullit të Kosovës dhe marrin pjesë në zgjedhjet demokratike, në institucionet zyrtare dhe në jetësën e përbashkët duke respektuar ligjet dhe të drejtat e njëri-tjetrit,” tha Kurti në fjalën e tij.

Në vazhdim, ai ka përmendur zgjedhjet e fundit, të cilat, sipas tij, pas një ngërçi të gjatë në Kuvend, treguan edhe njëherë vlerën e demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Zgjedhjet e fundit demokratike pas një ngërçi disa mujor në Kuvend, treguan edhe njëherë vlerën e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Republika nuk detyrohet me impunim dhe dhunë, por ndërtohet së brendshmi me punën tonë të përbashkët,” shtoi ai.

Kurti theksoi gjithashtu angazhimin e Qeverisë së re për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e sigurisë dhe thellimin e arsimit dhe kulturës, duke përmendur përparimet e Kosovës në fushën e pasaportave dhe sigurisë. Ai nënvizoi se pas liberalizimit të vizave, pasaporta e Kosovës është më e fortë se kurrë më parë, dhe se vendi po renditet gjithnjë e më lartë në aspektet e sigurisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe klimës për investime të huaja.

“Qeveria e re do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin ekonomik, fuqizimin e sigurisë dhe për thellimin e arsimit dhe të kulturës. Pas liberalizimit të vizave, tashmë pasaporta jonë është më e fortë se kurrë më parë, po renditemi gjithënjë e më lartë sa i përket sigurisë, demokracisë, sundimit të ligjit, klimës për investime të huaja,” përfundoi Kurti./Lajmi.net/