Kurti reagon për sulmin ndaj Hotit, dikur vet gjuante me vezë edhe në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për sulmin me vezë që i është bërë sot zëvendësit të tij në Qeveri, Avdullah Hoti.

Lajme

22/02/2020 16:49

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se këto janë veprime të dirigjuara nga mllefi i zgjedhjeve të 6 tetorit, por që nuk e shqetësojnë qeverinë, shkruan lajmi.net.

Ka thënë se qeveria e tij po punon e angazhohet për të mirën e popullit e të shtetit, dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët.

“Veprimet e dirigjuara prej marazit të ngelur nga 6 tetori e 3 shkurti nuk e shqetësojnë qeverinë, e cila po punon e angazhohet për të mirën e popullit e të shtetit, dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët. Zv.kryeministrit Hoti i uroj forcë e punë të mbarë, opozitës i dëshiroj frymë bashkëpunuese, edhe kur e luftojmë korrupsionin e krimin, edhe kur e mbrojmë shtetin e kombin”, ka shkruar Kurti.

Mirëpo, ishte vet partia e Kurtit, Vetëvendosje, dhe vet Kurti ata që në të kaluarën në raste shumë të shpeshta kishin sulmuar me vezë zyrtarë të pozitës.

Madje, në disa raste ata ishin kritikuar se këto sulme i kishin kryer edhe në prani të familjarëve të personave që ata i kishin sulmuar.

E Kurti, dikur sulmet me vezë nuk do t’i kursente as brenda Kuvendit të Kosovës. /Lajmi.net/