Kurti pretendon se bëri “histori” në ekonominë e Kosovës: BPV u rrit për 50%

Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka folur për gjendjen ekonomike në vend. Kurti ka thënë se gjatë katër viteve është rritur Bruto produkti vendor për rreth 50 %, rritje që sipas tij është e rrallë në histori dhe tek shtetet e tjera, transmeton lajmi.net. “Në Qeverisjen tonë janë dyfishuar edhe eksportet edhe investimet…

Lajme

16/11/2023 12:29

Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka folur për gjendjen ekonomike në vend.

Kurti ka thënë se gjatë katër viteve është rritur Bruto produkti vendor për rreth 50 %, rritje që sipas tij është e rrallë në histori dhe tek shtetet e tjera, transmeton lajmi.net.

“Në Qeverisjen tonë janë dyfishuar edhe eksportet edhe investimet e huaja. Eksportet kanë qenë të pakta por sidomos deficit tregtar ka qenë i lartë. Ekonomisë ia kemi shtuar mbi 1 miliardë për çdo vit. Më 2020 Bruto produkti vendor ka qenë 6.77 miliardë euro, në vitin e ardhshëm është mbi 10 miliardë euro. A e dini çfarë do të thotë që Bruto produkti vendor i një vendi të rritet për gati 50 % për gati katër vjet. Është shumë vështirë të gjeni në histori e në botë shembuj të tjerë që BpV të rritet për gati 50 % për gati katër vjet”.

Tutje sipas Kurtit inflacioni ka rënë nga 12 % që ka qenë në janar, në 3.3 % në tetor.

“Pagat janë rritur, buxheti për paga në sektorin publik është rritur për mbi 100 milion euro kurse më 2024 vlera e koeficientit do të jetë 110. Inflacioni në janar ka qenë 12 %. Në tetor ka qenë 3.3 %, në shtator ka qenë 4.2 %. Pra në fillim të vitit ka qenë shumë i lartë por tash është relativisht i ulët dhe ndër më të ulëtit në Evropën Juglindore. Kurrë ma vështirë se sot, në këtë shekull, nuk ka qenë blerja e armatimit, jo pse s’ka por se radha është shumë e gjatë. Dhe kurrrë më shumë armatim nuk janë ble se tani”, ka shtuar ai.