Kurti: Presim të kalojmë rezultatin e vitit 2021, s’do të kemi nevojë për koalicion paszgjedhor
Kryeministri i vendit, Albin Kurti thotë se nuk sheh mundësi për koalicione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas Kurtit i cili drejton Lëvizjen Vetëvendosje, partitë opozitare “nuk janë reformuar”. Kurti pret që partia e tij ta tejkalojë rezultatin e vitit 2021, dhe konsideron se pritjet për gjysmë milioni vota “janë reale”. “Ne nuk shohim mundësi…
Lajme
Kryeministri i vendit, Albin Kurti thotë se nuk sheh mundësi për koalicione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sipas Kurtit i cili drejton Lëvizjen Vetëvendosje, partitë opozitare “nuk janë reformuar”.
Kurti pret që partia e tij ta tejkalojë rezultatin e vitit 2021, dhe konsideron se pritjet për gjysmë milioni vota “janë reale”.
“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione pas-zgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të tre bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, thotë Kurti.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje garon me listë të përbashkët me “Guxo” dhe “Alternativa”.
“Ne presim ta tejkalojmë rezultatin e vitit 2021 për shkak se para katër vitesh i kishim 438 mijë vota dhe besoj që është reale që të presim që të kemi rritje, prandaj e kemi vendosur këtë synim prej gjysmë milioni vota në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Jemi shumë të lumtur që kemi pasur stabilitet institucional, jemi qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe uroj që ky të jetë një fillim i mbarë i stabilitetit institucional në Republikën e Kosovës, për dallim prej qeverive të mëhershme në Kosovën e pavarur që nuk e përfundonin mandatin. Kemi nevojë për qeveri të cilat për zotimet e tyre i kanë katër vjet mandat të plotë”, thotë Kurti.
Kurti, edhe për mandatin e ardhshëm përmend Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore – zotime këto që nuk u realizuan gjatë këtij mandati.
“Ne së pari duhet të themelojmë Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, dhe besojmë që së shpejti do të marrim dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese dhe paralelisht me këtë edhe Bankën Zhvillimore. Kjo është një shtyllë tejet e rëndësishme e reformës ekonomike në Kosovë për shtet zhvillimor. Në anën tjetër na duhet doemos Byroja për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, njëherë na e rrëzuan në Gjykatë Kushtetuese 5 me 4, e ri sollëm ligjin në Kuvend, i kaloi dy leximet dhe sërish është në Gjykatë Kushtetuese, edhe kjo byro do të duhet të themelohet sivjet. Dhe në të njëjtën kohë ta kemi edhe Vetingun për gjyqësorin, ashtu që kompetenca, integriteti dhe efikasiteti të jenë karakteristikë e sistemit tonë të drejtësisë. Këto janë sa i përket gjërave kapitale të cilat doemos do t’i bëjmë”, thotë ai.
Ligji për Fondin Sovran është dërguar nga opozita për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk ka kurrfarë përgjegjësie nga ana jonë, së pari Gjykata Kushtetuese e konsideroi të pranueshme ankesën opozitare dhe së dyti është vonuar tepër gjatë në trajtimin e këtyre, uroj që Gjykata Kushtetuese të jetë më selektive në rastet që i trajton dhe më ekspeditive atëherë kur do t’i trajtojë”, thotë Kurti.