Kurti: Po vazhdojnë punimet për rrugën Prizren–Tetovë, pritet të nisin punimet nga Maqedonia e Veriut
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se po vazhdojnë me intensitet punimet në territorin e Kosovës për ndërtimin e rrugës që do të lidhë qytetin e Prizrenit me atë të Tetovës, përmes një traseje të re që përfshin edhe një tunel 6.4 kilometra të gjatë përmes malit Korf (Vërtop). Sipas Kurtit, nga…

Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se po vazhdojnë me intensitet punimet në territorin e Kosovës për ndërtimin e rrugës që do të lidhë qytetin e Prizrenit me atë të Tetovës, përmes një traseje të re që përfshin edhe një tunel 6.4 kilometra të gjatë përmes malit Korf (Vërtop).
Sipas Kurtit, nga pala maqedonase pritet që së shpejti të miratohet projekti dhe të nisin punimet edhe në anën tjetër të malit. “Grupi punues ndërshtetëror dje mbajti takimin e radhës për të diskutuar dhe trajtuar pikat e detyrës projektuese – dokument ky thelbësor për realizimin e këtij projekti strategjik për Republikën tonë dhe Maqedoninë e Veriut”, deklaroi Kurti.
Ai tha se në takim mirëpriti në Kryeministri anëtarët e grupit punues, bashkë me zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, dhe zëvendësministrin në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, Hysen Durmishi.
Rruga aktuale që lidh Prizrenin me Tetovën kalon përmes Prevallës dhe Glloboçicës dhe është 113 kilometra e gjatë. Me realizimin e rrugës së re, ky distancim pritet të zvogëlohet në më pak se 50 kilometra.
“Mali që i ndan, do të ketë portën që i bashkon – pra tunelin me gjatësi 6.4 kilometra. Kështu udhëtimi bëhet më i lehtë, më i shpejtë dhe më i shpeshtë, lidhjet forcohen, shkëmbimet rriten e bashkëpunimi shtohet”, theksoi Kurti.