Kurti përkujton Smajl Hajdarajn: Mbetet shumë me rëndësi zbardhja e plotë e këtyre vrasjeve – nuk janë krime ordinere, por goditje në jetën politike të Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot ish-deputetin dhe veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smajl Hajdaraj, në 24-vjetorin e vrasjes së tij, duke theksuar se krimet me motive politike kanë dëmtuar rëndë jetën politike dhe procesin e shtetndërtimit në Kosovë. Kurti ka rikujtuar se Hajdaraj u vra më 17 janar 2002 pranë banesës…

Lajme

17/01/2026 23:36

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot ish-deputetin dhe veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Smajl Hajdaraj, në 24-vjetorin e vrasjes së tij, duke theksuar se krimet me motive politike kanë dëmtuar rëndë jetën politike dhe procesin e shtetndërtimit në Kosovë.

Kurti ka rikujtuar se Hajdaraj u vra më 17 janar 2002 pranë banesës së tij në Pejë dhe se, edhe pas më shumë se dy dekadash, rasti mbetet i pazbardhur. Ai ka vlerësuar se rrethanat dhe lidhjet e dyshuara me atentate të tjera të asaj periudhe tregojnë për motive politike dhe përpjekje për përçarje në vitet e para pas luftës, transmeton lajmi.net.

Duke folur për jetën dhe veprimtarinë e Hajdarajt, Kurti ka theksuar se ai ishte profesor i matematikës dhe veprimtar politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i përjashtuar nga sistemi arsimor nga regjimi serb në vitin 1990. Në vitin 1998, Hajdaraj iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas u emërua komandant i shtabit rajonal për Rugovën.

Pas çlirimit të Kosovës, ai u rikthye në arsim dhe në angazhimin politik, duke u zgjedhur deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës pas luftës. Mandati i tij u ndërpre dhunshëm nga atentati ndaj tij.

Kurti ka theksuar se vrasjet e aktivistëve politikë dhe veteranëve të UÇK-së nuk duhet të trajtohen si krime të zakonshme, por si sulme ndaj rendit demokratik dhe të ardhmes së shtetit. Ai ka bërë thirrje për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve, në mënyrë që të vendoset drejtësia për viktimat, familjet e tyre dhe për shoqërinë në tërësi.

Postimi i plotë:

Sot u bënë 24 vite prej kur më 17 janar të vitit 2002, atentatorë të ngelur të panjohur që nga atëherë, e vranë Smajl Hajdarajn, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Smajl Hajdarajn e qëlluan dhe e vranë afër banesës së tij në Pejë, persona të panjohur të urdhëruar nga qarqe të tjera të panjohura gjithashtu, meqë edhe pas 24 vitesh, institucionet e drejtësisë nuk e kanë zbardhur rastin e tij. Lidhjet e mundshme dhe të dyshuara të kësaj vrasje me të tjera atentate në ato vite të para pas luftës në Kosovë, kanë lënë të kuptohen motivet politike dhe përçarëse të planifikuesve dhe ekzekutorëve të vrasjes së Smajl Hajdarajt.
Deputet i Kuvendit të Kosovës i zgjedhur në zgjedhjet e para parlamentare pas luftës, Smajl Hajdaraj ishte një profesor i matematikës i cili si i përjashtuar nga sistemi arsimor prej regjimit serb më 1990, ishte angazhuar politikisht në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës. Më 1998, ai iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u caktuar më pas komandant i shtabit rajonal për Rugovë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, Smajl Hajdaraj iu rikthye punës në sistemin arsimor dhe angazhimit të tij politik. Ai ishte njëri nga deputetët e zgjedhur të legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovës, por shërbimi i tij u ndërpre dhunshëm nga atenati ndaj tij.
Vrasjet e motivuara politikisht dhe vrasjet e aktivistëve politikë dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk janë krime ordinere, por goditje në jetën politike të Kosovës dhe në ecurinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës. Andaj mbetet shumë me rëndësi zbardhja e plotë e këtyre vrasjeve, si vënie e drejtësisë për viktimat, për familjarët, për bashkëveprimtarët dhe për mbarë shoqërinë e popullin tonë./lajmi.net/