Kurti: Nuk ka amnisti për manipulimin e votave, hetimet të shkojnë deri në fund
Një operacion i madh policor të premtën ka çuar në ndalimin e 109 personave të dyshuar për manipulim të votave gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit. Në lidhje me këtë ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku theksoi se nuk ka amnisti për individët që ndikojnë në vota dhe kërkoi që hetimet të…
Lajme
Një operacion i madh policor të premtën ka çuar në ndalimin e 109 personave të dyshuar për manipulim të votave gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit.
Në lidhje me këtë ka reaguar kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku theksoi se nuk ka amnisti për individët që ndikojnë në vota dhe kërkoi që hetimet të shkojnë deri në fund.
“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund”, ka shkruar Kurti në një postim në facebook.
Ai shtoi se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës dhe se adresimi ligjor i rasteve të dyshimeve për manipulim është i domosdoshëm për integritetin e procesit zgjedhor.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, dhe këto raste nuk duhet të ndodhin më në të ardhmen”, thekson Kurti.