Kurti nuk i ndal thumbimet as në orët e fundit të fushatës: Nëse dikur kishim shtet për disa, tash për krejt
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se slogani “Pika” simbolizon përmbylljen e një periudhe dhe fillimin e një kapitulli të ri. Në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës, Kurti deklaroi se “nëse dikur kishim shtet për disa, tash për krejt”. “Pika do të duhej ta përmbyllë një periudhë të gjatë…
Lajme
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se slogani “Pika” simbolizon përmbylljen e një periudhe dhe fillimin e një kapitulli të ri.
Në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës, Kurti deklaroi se “nëse dikur kishim shtet për disa, tash për krejt”.
“Pika do të duhej ta përmbyllë një periudhë të gjatë dhe ndodhët në kontrast me presjen”, tha ai, duke iu referuar numrit të madh të proceseve zgjedhore të mbajtura kohët e fundit.
Sipas Kurtit, gjatë një viti e gjysmë janë mbajtur pesë palë zgjedhje, përfshirë tri zgjedhje parlamentare dhe dy raunde të zgjedhjeve lokale.
“Pesë palë zgjedhje, nga të cilat tri palë zgjedhje kishin fushatë katër javore”, u shpreh ai.
Kurti foli edhe për pjesëmarrjen e diasporës në procesin zgjedhor, duke theksuar se votimi i bashkatdhetarëve tashmë kishte nisur.
“Deri mbrëmë në mesnatë bashkatdhetarët tanë kanë votuar me postë dhe sot ka pasur radhë të gjata duke pritur në ambasada dhe konsullata”, tha Kurti.
Ai shtoi se slogani “krejt për shtet, shtet për krejt” lidhet me të gjithë qytetarët e vendit. “Mbase janë më shumë se 1.6 milionë arsye kur po them ‘krejt për shtet, shtet për krejt’, sepse aq jemi rezidentë”, deklaroi Kurti.
Duke folur për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, ai tha se “kemi edhe qindra mijëra bashkatdhetarë të cilët janë qytetarë të Republikës, mirëpo megjithatë nuk janë banorë këtu, meqenëse janë me punë të përkohshme që u është zgjatur ca jashtë atdheut”.