Kurti kritikon LDK-në: Përbuzje e ofertave dhe bllokada institucionale ndaj fituesit të zgjedhjeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër Lidhjen Demokratike e Kosovës (LDK), gjatë fjalimit në Kuvend, duke thënë se opozita ka refuzuar oferta për marrëveshje dhe ka krijuar bllokada institucionale ndaj procesit politik. Ai theksoi se marrëveshjet politike dhe kompromisi janë pjesë normale e demokracisë, por sipas tij nuk duhet të shndërrohen në “pazar…

Lajme

27/04/2026 18:08

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër Lidhjen Demokratike e Kosovës (LDK), gjatë fjalimit në Kuvend, duke thënë se opozita ka refuzuar oferta për marrëveshje dhe ka krijuar bllokada institucionale ndaj procesit politik.

Ai theksoi se marrëveshjet politike dhe kompromisi janë pjesë normale e demokracisë, por sipas tij nuk duhet të shndërrohen në “pazar për rehati të figurave politike”.

“Marrëveshja politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike”, u shpreh Kurti, shkruan lajmi.net.

Kreu i ekzekutivit shtoi se çdo kompromis duhet të reflektojë realitetin zgjedhor dhe peshën elektorale të secilës parti, duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve.

Ai gjithashtu reagoi ndaj debatit politik për termin “nënshtrim”, duke thënë se respektimi i rezultatit zgjedhor nuk mund të interpretohet si nënshtrim, por si respekt ndaj vullnetit qytetar.

“Rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet. Nëse ka një ‘nënshtrim’, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve”, tha Kurti. /Lajmi.net/