Kurti: Kosovës i duhet ‘republika e tretë’ dhe qeverisja nga një parti e majtë (Video)

Ish – kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar të mërkurën se Kosovës i duhet “republika e tretë”, e cila sipas tij do të jetë republikë e ndryshimit dhe zhvillimit.

Lajme

11/03/2015 11:54

Kosovës i duhet një parti e majtë, një qeverisje sociale demokratike, ka thënë Kurti,  pasi sipas tij, qe prej 15 vjetësh vendi po udhëhiqet nga partitë e djathta dhe populli po detyrohet ta lëshojë Kosovën.

“Dy republikat që i kemi pasur deri më tani kanë krijuar vetëm ndarje në mes të qytetarëve dhe komunave. Ajo që e bënë këtë ndarje më së shumti është dialogu i Brukselit, i cili është duke u bërë në mënyrë të gabuar”, ka thënë Kurti në debatin “FOL Hapur”, të organizuar nga Lëvizja FOL.

Kurti ka thënë mënyra më e drejtë e këtij dialogu është që të dialogohet me serbët e Kosovës për së afërmi në mënyrë që, siç ka thënë ai, të mos ketë ndarje midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Ish-lideri Lëvizjes Vetëvendosje ka folur edhe për themelimin e Gjykatës Speciale, gjykatë kjo që do të merret me shqyrtimin e akuzave të pretenduara ndaj ish-pjestarëve të ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Kurti, partia e të cilit ka paralajmëruar se nuk do të votojë në Kuvendin e Kosovës për themelimin e kësaj gjykate, beson se Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk mund të merret me formimin e Gjykatës Speciale, pasi që sipas tij, fillimisht do të duhej të merrej me UNMIK-un.

Në këtë debat, Kurti ka shprehur edhe habinë e tij me heshtjen e ambasadave ndaj përpjekjeve të Komunës së Ranillugut për emërimin e një rruge me emrin e të akuzuarit për krime lufte në ish-Jugosllavi, ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili vdiq në burgun e Hagës përpara se t’i shqiptohej dënimi.

 

YouTube player