Kurti: Konjufca i ka të gjitha votat që i kisha unë – Me partitë e tjera politike nuk shohim asnjë mundësi për koalicion
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot një konferencë për media. Ai ka folur për mandatarin e ri që e ka propozuar sot, Glauk Konjufcën për të cilin ka thënë se i ka të gjitha votat që i ka pasur ai më 26 tetor. “Ju e dini që më 26 tetor, në…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot një konferencë për media.
Ai ka folur për mandatarin e ri që e ka propozuar sot, Glauk Konjufcën për të cilin ka thënë se i ka të gjitha votat që i ka pasur ai më 26 tetor.
“Ju e dini që më 26 tetor, në Kuvendin e Republikës i mora 56 vota nga 61 që është minimumi i votave të nevojshme. ato 56 i ka edhe Glauku ndoshta edhe merr ndonjë më shumë. Më pak nuk mund të marrë. Prandaj është e pafalshme të mos tentohet. Maksimumi im që u dëshmua me 26 tetor është minimumi i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht që të formojmë një Qeveri e të ecim përpara”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se për koalicione me partitë e tjera politike nuk sheh asnjë mundësi, që sipas tij kjo është për shkak të mosbashkëpunimit të tyre.
“Kemi shkruar letra, na janë përgjigjur publikisht dhe kanë thënë që as nuk takohen. Në këtë atmosferë kaq të intoksikuar nuk po shoh se si mund të ketë bashkëpunim mes partive, por nëse mund të krijojmë diçka elementare qoftë edhe të përkohshme, është shansi që këtë ta bëjmë nëse ekziston edhe minimumi i vullnetit politik. Ju e dini shumë mirë që ndaj meje për një kohë të gjatë nga elemente të ndryshme opozitare është ndërtuar një urrejtje hibride do ta quaja, por ja që nuk jam unë më aty dhe tash kanë dikë tjetër. Le ta dëshmojnë që e kishin vetëm me mua dhe le ta dëshmojnë që interesi shtetëror është mbi atë partiak. Ajo çfarë ka ndodhur është një padrejtësi ndaj VV-së, por kjo për ne është çështje e dorës së dytë. Për ne, dobia ndaj shtetit është një rëndësie më të lartë sesa padrejtësia ndaj VV-së”, ka thënë Kurti.