Kurti: Jemi përballur suksesshëm me Serbinë sa herë kanë provuar e kanë dështuar, Kosovë është partner i SHBA-së e BE-së

Mbrëmë është organizuar pritja shtetërorë për shënimin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kjo pritje është organizuar nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i vendit. Me këtë rast në fjalën e tij, Kurti tha se 17 vjet më parë u shpall pavarësia e republikës sonë dhe se lindja e saj ishte rrjedhojë e gati një…

Lajme

18/02/2025 10:27

Mbrëmë është organizuar pritja shtetërorë për shënimin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kjo pritje është organizuar nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i vendit.

Me këtë rast në fjalën e tij, Kurti tha se 17 vjet më parë u shpall pavarësia e republikës sonë dhe se lindja e saj ishte rrjedhojë e gati një shekulli qëndrese të paepur të popullit tonë ndaj sundimit të huaj, dhunës e padrejtësive thuajse të përditshme dhe e ndërmarrjeve gjenocidale për ta zhbërë atë.

“Kur republika u shpall nga Kuvendi i Kaçanikut më 1990, ajo jo vetëm që ishte legjitime, por përbënte dhe një formulë të drejtë dhe të arsyeshme drejt zgjidhjes së çështjes shqiptare nën Jugosllavi. Mirëpo, popullit tonë iu desh të bëjë sakrifica të tjera gjatë viteve ’90-ta, për të jetësuar republikën dhe njohjen ndërkombëtare. Lëvizja mbarëpopullore e udhëhequr nga presidenti Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Ukshin Hoti, Ejup Statovci e shumë, e shumë të tjerë, u pasua nga epopeja e familjes Jashari, e kryekomandantit Adem Jashari, dhe lufta çlirimtare e UÇK-së. Ne sot përkulemi me respektin më të thellë ndaj të gjithë dëshmorëve, të zhdukurve, të burgosurve politikë, të plagosurve, të keqtrajtuarve dhe të gjithë burrave e grave që i shërbyen me jetët, mundin e pronën e tyre realizimit të Republikës së Kosovës. Ne, si qeveritarë e politikanë kemi detyrën që të përfaqësojmë jo vetëm vullnetin e zgjedhësve, por edhe aspiratën e gjithë atyre që janë përpjekur për krijimin e një shteti sovran e demokratik, që u mundëson të gjithë qytetarëve të tij të jetojnë të sigurt e dinjitetshëm çdo herë, çdo kund, pa dallim”,deklaroi ai.

Kurti tha se sot, Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran e demokratik e me integritet territorial. Ajo kërkon të jetojë në paqe me shtetet fqinje dhe të ndërtojë bashkë me ta një të ardhme evropiane. Kosova është partner i shteteve demokratike të botës që ndihmuan shpalljen e pavarësisë së saj: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet anëtare e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Japonia, Kanadaja etj.

“Republika e Kosovës ka dorëzuar aplikimin për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian, edhe pse pesë shtete anëtare nuk na njohin ende. Kosova angazhohet për mbrojtjen kolektive dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës marrin pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s, sivjet jemi edhe nikoqirë në Defender Europe 2025, edhe pse nuk jemi ende anëtarë të aleancës. Kosova mbështet luftën e drejtë e mbrojtëse të Ukrainës, pa marrë parasysh faktin se nuk kemi ende njohje prej saj. Republika e Kosovës garanton dhe zbaton të drejtat e pakicave edhe më lartë se standardet ndërkombëtare, sidomos për pakicën serbe siç kanë konstatuar edhe juristët eminentët të Këshillit të Evropës. Ndërkohë, që shqiptarët në Luginën e Preshevës gjenden nën një trysni të vazhdueshme nga diskriminimi në ekonomi e kulturë, në arsim e shëndetësi, gjersa pasivizimi i adresave është veçse spastrim etnik atje, me mjete administrative e burokratike. Republika e Kosovës po bën përpjekje maksimale për respektimin e të drejtave të njeriut, për luftën kundër korrupsionit dhe për zhvillimin ekonomik e zvogëlimin e pabarazive për të gjithë shtetasit pa dallim moshe, feje, prejardhje apo etnie. Krahasuar me vitin e shpalljes së Pavarësisë 2008, tash i kemi përafërsisht trefish më të larta: Bruto Produktin Vendor, buxhetin vjetor shtetëror dhe pagën mesatare. Të drejtat e grave, të drejtat e pakicave etnike, të kategorive të tjera sociale, pavarësia e pushteteve dhe liria e medias respektohen e zbatohen në Kosovë, madje më shumë e më mirë se në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, e në disa raste edhe më gjerë se kaq”.

“Të gjitha këto arritje nuk kanë qenë të lehta dhe gjithsesi janë të përbashkëta. Edhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është përballur me shumë vështirësi e pengesa të krijuara nga lufta sistematike e hibride e së fundmi edhe kinetike e Serbisë për të na e bërë të pamundur sovranitetin dhe shtetin ligjor në të gjithë territorin e vendit tonë. Agresiviteti e shovenizmi është edhe aksion e sjellje jo vetëm qëndrim e vendim i Serbisë kundër Kosovës meqë përfshin sulme terroriste, fushata të mosnjohjes ndërkombëtare, financim të bandave kriminale e strukturave paralele, sulme mediatike etj. Ndërkaq, Forca e Sigurisë së Kosovës, ndodhet në kazerma, Serbia ka 48 baza të përparme ofenzive të ushtrisë dhe xhandarmërisë pranë e përgjatë kufirit me ne”,shtoi ai.

Kurti po ashtu deklaroi se jemi përballuar suksesshëm sa herë kanë provuar, kanë dështuar dhe Republika e Kosovës ka fituar, por edhe me sakrifica të reja, siç janë policët dëshmorë Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku. Ata do të kujtohen përherë, krahas dëshmorëve të tjerë të kombit që i kanë paraprirë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Teksa kremtojmë së bashku padyshim që progresin do ta ruajmë, do ta mbrojmë dhe do ta lartësojmë në nivele të reja, të tjera, gjithnjë duke punuar sa mundemi e dimë, pa kursim, pa pushim, pa rezervë, bashkë.Duke ju uruar kremtimin e 17-vjetorit të Pavarësisë, gjithashtu ju uroj të gjithëve secilës e secilit shëndet dhe punë të mbarë për Republikën tonë”, përfundoi ai./Lajmi.net/