Kurti iu drejtua dje nga Qeveria e Kosovës, por a do takohen me partitë tjera politike për hapat e ardhshëm të zhbërjes së Speciales?

Vendimi i Gjykatës Speciale dje për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me gati 1 shekull burgim ka shkaktuar reagime nga më të ndryshmet. Vendimi për 81 vite burgim ndaj 4shes së UÇK-së në Hagë ka goditur rëndë shtetin e Kosovës dhe historinë e këtij vendi. Por, shpresa vazhdon të jetë e lidhur me Gjykatën e…

Lajme

17/09/2026 13:23

Vendimi i Gjykatës Speciale dje për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së me gati 1 shekull burgim ka shkaktuar reagime nga më të ndryshmet.

Vendimi për 81 vite burgim ndaj 4shes së UÇK-së në Hagë ka goditur rëndë shtetin e Kosovës dhe historinë e këtij vendi.

Por, shpresa vazhdon të jetë e lidhur me Gjykatën e Apelit.

Avokatët e 4shes në Hagë deklaruan dje se vendimi i djeshëm i shkallës së parë gjyqësorë nuk do të lihet me kaq dhe se të njëjtit çështjen do e dorëzojnë edhe në Gjykatë të Apelit.

E në mesin e njerëzve që reaguan pas vendimit tejet të rëndë ndaj 4shes ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti publikoi një video-incizim të realizuar në Qeveri të Kosovës, nga ku edhe iu drejtua qytetarëve.

Kurti deklaroi se shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Ai tha se aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.

“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar”,shtoi tutje Kurti.

E shumë prej deputetëve iu referuan Kurtit se nuk është në Kosovë, madje duke ngritur pikëpyetje se video në fjalë ishte xhiruar më herët.

Por, në fakt Albin Kurti vazhdon të jetë në Kosovë e video ishte realizuar dje.

Shumë prej fytyrave publike iu referuan Kurtit sikur nuk është në Kosovë pas publikimit të lajmit se i njëjti do të udhëtoj në Amerikë, njoftim ky i bërë ditë më parë nga shqiptarët në Boston të Amerikës.

E sot Partia Demokratike e Kosovës është duke zhvilluar një mbledhje të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, në të cilën pritet të vendosen hapat e ardhshëm për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Kuvendi nëse janë të gatshëm për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Derisa nga PDK-ja po vazhdojnë takimin nuk dihet nëse një takim i mundshëm do zhvillohet në mes partive shqiptare politike në vend.

Dje avokati i Hashim Thaçit, Pierre Richard Prosper kritikoi ashpër vendimin, duke e cilësuar si fyese deklaratën e gjykatës se aktgjykimi ishte shpallur “në emër të popullit të Kosovës”.

“Unë ndoshta do të hy në problem për këtë, por unë solla kokën kur Gjykata tha se dënimi është në emër të popullit të Kosovës, ishte fyese, sepse kjo nuk ishte në emër të popullit të Kosovës, ata nuk i dëgjuan dëshmitë”, tha Prosper.

Avokati i Thaçit tha gjithashtu se Kuvendi i Kosovës duhet të përfshihet në çështjen e Dhomave të Specializuara. Ai deklaroi se, po të ishte vetë deputet i Kuvendit, do të kërkonte tërheqjen e mbështetjes për këtë Tribunal.

“Nëse do të isha në Kuvendin e Kosovës, do të tërhiqja mbështetjen për këtë Tribunal që nesër, sepse kjo është abuzim me drejtësinë, abuzim i procesit sipas mendimit tim”, deklaroi Prosper.

E këtë mundësi të zhbërjes së Speciales përmes Kuvendit të Kosovës pritet ta diskutojnë edhe në mes sprektrit politik në Kosovë, derisa eri më tani nuk janë dhënë detaje se cilat do jenë zhvillimet e mëtejshme./Lajmi.net/