Kurti i fton në koalicion ata që dikur i quante ‘Instrument i Beogradit e ambasadë e Serbisë’
Qëndrimet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, karshi Listës Serbe janë të njohura për të gjithë. Ai ka qenë kritikuesi më i madh ndër vite i qeverive në Kosovë për përfshierjen e kësaj liste nëpër qeveri.

Lajme
Kurti nuk kishte lënë fjalë të keqe pa e thënë për Listën Serbe, duke i quajtur instrument të Beogradit, ambasadë të Serbisë në Kosovë, shteti i Serbisë e të tjera.
Por këto qëndrime të Kurtit janë ndryshuar menjëherë pas zgjedhjeve të 6 tetorit ku Kurti ka dalur fitues me Lëvizjen Vetëvendosje me një deputet më shumë sesa Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kurti, i cili në postin e kryeparlamentarit e ka vendosur me votat e LDK-së, nënkryetarin e tij Glauk Konjufca, vet pretendon të udhëheq qeverinë dhe kjo po e pamundëson koalicionin me LDK-në.
Por, në anën tjetër, në këtë pamundësi të marrëveshjes me LDK-në, Kurti që dikur kishte deklaruar se Lista Serbe do të jetë në opozitë, i ka ftuar në takim që të mirret vesh me ta për “qeverinë Kurti”.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, në fushatën para-elektorale të zgjedhjeve të 6 tetorit në një emision televiziv kishte deklaruar se Lista Serbe nuk është parti, por është shteti i Serbisë dhe së këndejmi nuk do të bëjë koalicion me ta.
“Lista Serbe nuk është parti, është shtet i Serbisë”, kishte deklaruar Kurti në RTV 21.
Kurti, përveç kësaj, në vitin 2018, kishte deklaruar se Lista Serbe nuk është parti, por është ambasada e Serbisë në Kosovë që funksionon sipas dirigjencave të Beogradit.
Përveç kësaj, Kurti për Report TV kishte deklaruar gjatë vitit të kaluar se qeveria e tij nuk do të varet nga Lista Serbe, gjë që duket se do të ndodh tani.
“Ne nuk do të na varet qeveria nga Lista Serbe, por obligim kushtetues do ta gjejmë”, kishte deklaruar Kurti.
Pothuajse të njëjtën deklaratë, Kurti e ka dhënë edhe për Radio Evropa e Lirë kur është pyetur për Listën Serbe, ai kishte thënë se qeveria me Listën Serbe brenda do t’i kishte dy kryeqytete, Prishtinën dhe Beogradin.
Kurti, e kishte ashpërsuar gjuhën ndaj kësaj partie edhe më tepër kur i kishte quajtur çetnikë.
“Deputetët dhe analistët e regjimit merreshin aq shumë atëbotë me ne, e tash ja ku i kemi çetnikët në pushtet në nëntë komuna të Kosovës. Kur ne thoshim se po sajohet Republika Serbe në Kosovë, na shanin e na fyenin e zgërdhiheshin; tash të gjithë po thonë se Republika Serbe është rrezik fort i mundshëm, por kjo është tepër pak, tepër vonë dhe aspak e sinqertë”, kishte thënë Kurti.
Këto dhe shumë deklarata të tjera të Kurtit kanë rënë poshtë sot kur ai është takuar me përfaqësuesit e kësaj liste që të formojë koalicion qeverisës.
Madje, Goran Rakiq i Listës Serbe për media pas takimit ka kërkuar 2 ministri nga Kurti dhe ka deklaruar se Kurti e ka të pamundur të krijojë qeverinë pa ta. /Lajmi.net/