Kurti dikur kërkonte nga deputetët “ta testojnë” nëse i ka numrat për Qeverinë, sot “ra nga testi”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, sot para deputetëve të zgjedhur të kësaj legjislature ka propozuar Qeverinë Kurti 3. 19 ministrat e tre zëvendëskryeministrat e propozuar nga Kurti, sot nuk arritën t’i marrin 61 votat e nevojshme për t’u formuar Qeveria “Kurti 3”, shkruan lajmi.net. Ai mori sot vetëm 56 vota për, 52 kundër dhe 4…

Lajme

26/10/2025 21:05

Kryeministri në detyrë i Kosovës, sot para deputetëve të zgjedhur të kësaj legjislature ka propozuar Qeverinë Kurti 3.

19 ministrat e tre zëvendëskryeministrat e propozuar nga Kurti, sot nuk arritën t’i marrin 61 votat e nevojshme për t’u formuar Qeveria “Kurti 3”, shkruan lajmi.net. Ai mori sot vetëm 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, me ç’rast edhe dështoi për t’u bërë kryeministër.

Por, për muaj me radhë derisa karrigia e kryetarit të Kuvendit, ishte e zbrazët, Kurti iu kërkonte deputetëve ta votojnë atë, për ta testuar nëse i ka votat për të formuar Qeverinë.

Sot Kurti u testua, ndërsa ai vetë “ra nga testi”, duke mos arritur t’i mbledh numrat për Qeverinë.

Ai sot, para deputetëve të zgjedhur kërkoi që ta votojnë këtë Qeveri për të mos e bllokuar më tej vendin.

“Në këto 6 muaj përpjekje për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat, përkundër tentimeve tona të disa hershme e shterruese. Asnjëra nga partië parlamentare iu bëmë ftesë nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje megjithëse vota e qytetarit kësaj radhe kishte përcaktuar që duhej të kishte një koalicion qeverisës”, ka deklaruar Albin Kurti – I mandatuar për kryeministër.

Shpjegimin e pasojave që mund t’i sjellë mungesa e ekzekutivit, duke kërkuar mbështetje por pa marrëveshje politike, Kurti e vazhdoi me pesë premtime.

“Miratimi i projektligjit për buxhetin 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 eurosh, që prek rreth 200 mijë pensionist, vendimi për rritjen për shtesa për fëmijë për 50% mbi nivelin aktual që prej rreth 400 mijë fëmijë, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro që prej një pjesë të madhe të punëtorëve në sektorin privat, dhe miratimi i ndryshimit të plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët e UÇK-së.”Ndonëse debati ishte i lejuar, folësit në emër të partive të ish-bllokut opozitar, zgjodhën që të flasin shkurt, dhe ta bëjnë me dije se nuk kanë votë për”, ka deklaruar  Albin Kurti – I mandatuar për kryeministër.

Sot, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Koha e fjalëve ka marr fund, koha është që ta verifikoni atë që keni thënë gjatë gjithë kohës që keni arritur shumicën parlamentare. Ka mbi 8 muaj që të kemi dëgjuar z. Kurti se konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e themelimi i Qeverisë është e jotja është detyrë e juaja ta dëshmoni këtë përgjegjësi”, ka deklaruar Krasniqi.

Kundër votimit të Qeverisë Kurti 3 u shpreh edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Mungesa e dinjiteti politik pra pranimit të aktit të vetëm logjik se nuk kam numra nuk është fundi i botës, për 8 muaj e ka mbajtur Kosovën të bllokuar me arsyetime të ndryshme me një Qeveri që se kanë me numra e mbështetje as sot”, ka deklaruar Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj para kolegëve të tij deputetë, i ka thënë Kurtit se është produkt i luftës hibride.

“Ti je produkt i luftës hibride të armiqve tonë pra ty të kanë kriju ti e ke ushqy këtë luftë hibride në këtë vend, në vazhdimësi ti ke punu sistematikisht me e diskreditu çdo vlerë të këtij vendi disa prej të cilëve i vuajnë pasojat e drejtësisë ndërkombëtare e disa më herët dhe si i tillë një ditë po është e vërtetë lufta hibride e ha atë i cili e ka ushqy atë luftë e tash besoj se të ka ardh radha edhe ty të uroj sukses”, ka deklaruar Ramush Haradinaj – Kryetar i AAK-së.

Kundër ishin edhe deputetët e Listës Serbe, si dhe deputetët Adem Hoxha e Duda Balje që nuk ishte fare në seancë.

Veton Berisha që tha se e takoi dje kryetarin e VV-së abstenoi ashtu sikurse deputetët e NISMA-s dhe kështu Albin Kurti dështoi të siguronte 61 vota.

“Konstatoj se me 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime Kuvendi nuk e zgjodhi Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka theksuar  Dimal Basha – Kryetar i Kuvendit.

110 deputetët e pranishëm në sallë, kryeparlamentari Dimal Basha i përshëndeti dhe i ftoi të shpërndahen me porosinë se tash përgjegjësia i takon Presidentes e cila brenda 10 ditëve mund ta mandatoj të propozuarin e radhës për kryeministër.