Kurti: Diaspora dikur sillte në vendin tonë një shumë të madhe të remitancave, tani sjell bizneset
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Francë, ku po mbahet Samiti i Paqes. Gjatë qëndrimit atje, ai ka marrë pjesë edhe në një panel diskutimi, ku para audiencës ka folur për “zhvillimin ekonomik” të vendit. Derisa qytetarët në Kosovë po përballen me shtrenjtimin e jetesës dhe rritjen e çmimeve, Kurti zgjodhi që para…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Francë, ku po mbahet Samiti i Paqes. Gjatë qëndrimit atje, ai ka marrë pjesë edhe në një panel diskutimi, ku para audiencës ka folur për “zhvillimin ekonomik” të vendit.
Derisa qytetarët në Kosovë po përballen me shtrenjtimin e jetesës dhe rritjen e çmimeve, Kurti zgjodhi që para francezëve të flasë për rritje ekonomike, paga dhe investime.
Ai tha se Kosova ka shënuar rritje ekonomike mbi 4 për qind, duke përmendur shifrat prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.
“Komuniteti ndërkombëtar dëshiron të shohë rritje ekonomike. Prandaj, kjo nuk duhet nënvlerësuar. Rritja ekonomike është shumë e rëndësishme. Për shembull, në Kosovë, në tremujorin e parë të këtij viti kemi pasur rritje ekonomike prej 5.4% të BPV-së, ndërsa në tremujorin e dytë prej 4.1%. Ne nuk po zbresim nën nivelin e 4% të rritjes ekonomike. Kjo është e rëndësishme”, deklaroi Kurti.
Por kryeministri nuk u ndal me kaq. Para të pranishmëve në Francë, ai foli edhe për uljen e pabarazisë në paga, duke pretenduar se diferenca ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët në administratën publike është zvogëluar pesëfish gjatë gjashtë vjetëve të fundit.
“Për shembull, në Republikën e Kosovës, para gjashtë vjetësh, raporti ndërmjet pagës më të lartë në sektorin publik (administratën publike) dhe pagës më të ulët ishte 20 me 1. Tani, në kohën kur po flasim, ky raport është 4 me 1. Pra, e kemi zvogëluar pabarazinë pesëfish”, tha ai.
Një pjesë të konsiderueshme të fjalimit Kurti ia kushtoi edhe diasporës. Sipas tij, mërgata kosovare ka kaluar nga dërgimi i parave për mbështetjen e familjeve dhe rindërtimin e shtëpive, te investimet në biznese dhe prodhim në Kosovë.
Ai përmendi se remitancat e diasporës dikur arrinin deri në 20 për qind të BPV-së, ndërsa sot, sipas tij, mërgimtarët po sjellin edhe bizneset dhe përvojën e fituar në vendet e Evropës Perëndimore.
Megjithatë, Kurti nuk specifikoi burimet mbi të cilat mbështeten këto të dhëna dhe pretendime.
“Diaspora dikur sillte në vendin tonë një shumë të madhe të remitancave, deri në 20% të BPV-së. Fillimisht, këto mjete përdoreshin për rindërtimin e shtëpive, pra për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e familjeve. Më pas, diaspora filloi të sillte një pjesë të bizneseve të saj për të investuar në atdhe”, u shpreh kryeministri, transmeton Nacionale.
Ai shtoi se diaspora po kontribuon edhe me njohuri profesionale dhe etikë pune të fituar në Evropën Perëndimore, të cilat, sipas tij, po ndihmojnë në organizimin më të mirë të bizneseve vendore.
Por prezantimi i Kurtit nuk përfundoi me kaq. Kryeministri u tha të pranishmëve se qarkullimi i bizneseve në Kosovë është rritur dy herë e gjysmë krahasuar me pesë vjet më parë.
Në fund, Kurti foli edhe për Kosovën si shembull të zhvillimit, demokracisë, luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, duke ia atribuar një pjesë të rëndësishme të këtij përparimi edhe diasporës.