Qeveria e re me 19 ministri, konfirmohen disa zëvendësministra

Kryeministri i Albin Kurti ka filluar strukturimin e nivelit të dytë drejtues të ekzekutivit, duke dekretuar zëvendësministrat e parë në disa prej ministrive të qeverisë së re. Pas marrjes së mandatit të tretë, shefi i ekzekutivit ka konfirmuar disa figura të njohura në poste kyçe, ndërsa ka sjellë edhe emra të rinj në përbërjen e…

Lajme

21/02/2026 16:37

Kryeministri i Albin Kurti ka filluar strukturimin e nivelit të dytë drejtues të ekzekutivit, duke dekretuar zëvendësministrat e parë në disa prej ministrive të qeverisë së re.

Pas marrjes së mandatit të tretë, shefi i ekzekutivit ka konfirmuar disa figura të njohura në poste kyçe, ndërsa ka sjellë edhe emra të rinj në përbërjen e kabinetit. Daulina Osmani do të vazhdojë angazhimin si zëvendësministre në dikasterin e Sportit dhe Rinisë, ndërsa në Infrastrukturë dhe Transport është emëruar Zef Morina, transmeton lajmi.net.

Në diplomaci, Kreshnik Ahmeti mbetet pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si zëvendësministër. Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani do të ushtrojë detyrën e zëvendësministrit të parë.

Rikthim ka edhe në Shëndetësi, ku Dr. Arsim Berisha merr sërish pozitën e zëvendësministrit, detyrë që e kishte ushtruar edhe në përbërjen e kaluar qeveritare. Në Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Imri Demelezi është emëruar zëvendësministër i parë, ndërsa Nora Arapi Krasniqi do të mbajë të njëjtin rol në Kulturë dhe Turizëm.

Ndryshime ka edhe në Drejtësi, ku Genc Nimoni, i cili më herët ka drejtuar kabinetin e Albulena Haxhiut, tashmë do të shërbejë si zëvendësministër në këtë ministri, që drejtohet nga Donika Gërvalla.

Emërimet e tjera pritet të bëhen publike në ditët në vijim, ndërsa në këtë mandat të ri numri i ministrive është rritur në 19, krahasuar me 12 sa kishte ekzekutivi në përbërjen paraprake.

Kabineti i ri përbëhet nga: Glauk Konjufca si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme; Donika Gërvalla zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë; Fikrim Damka zëvendëskryeministër për çështje të pakicave dhe bashkëpunim; Hekuran Murati në Financë; Andin Hoti në Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare; Ejup Maqedonci në Mbrojtje; Xhelal Sveçla në Punë të Brendshme; Lulëzon Jagxhiu në Administratë Publike dhe Digjitalizim; Arben Vitia në Shëndetësi; Hajrullah Çeku në Arsim dhe Shkencë; Saranda Bogujevci në Kulturë dhe Turizëm; Blerim Gashani në Sport dhe Rini; Elbert Krasniqi në Administrim të Pushtetit Lokal; Fitore Pacolli në Mjedis dhe Planifikim Hapësinor; Armend Muja në Bujqësi; Dimal Basha në Infrastrukturë dhe Transport; Mimoza Kusari në Tregti, Industri dhe Inovacion; Artane Rizvanolli në Ekonomi; Nenad Rashiq në Komunitete dhe Kthim; si dhe Rasim Demiri në Zhvillim Rajonal./lajmi.net/