Kurrë më në Liverpool

Pepe Reina ka treguar se kurrë më nuk do ta bartë fanellën e Liverpoolit dhe ende nuk i pranon rrethanat mes së cilave u largua nga Anfield Road. Por, portieri spanjoll ka filluar të shkëlqejë sërish në Itali. I ribashkuar me Rafael Benitezin, Reina është një prej më meritorëve për fillimin e mbarë të sezonit…

Sport

28/09/2013 09:58

Pepe Reina ka treguar se kurrë më nuk do ta bartë fanellën e Liverpoolit dhe ende nuk i pranon rrethanat mes së cilave u largua nga Anfield Road.

Por, portieri spanjoll ka filluar të shkëlqejë sërish në Itali. I ribashkuar me Rafael Benitezin, Reina është një prej më meritorëve për fillimin e mbarë të sezonit dhe fundjavën e kaluar u bë portieri i parë që priti një penallti të Mario Balotellit derisa Napoli fitoi në San Siro kundër Milanit për herë të parë pas 27 vjetësh.

Kjo e ka bindur Reinan se kalimi te Napoli i ka të mirat e veta, edhe pse Liverpooli arriti marrëveshje për huazimin e tij në San Paolo, gjatë kohës sa ai ishte në pushim.

“Më erdhi si befasi”, deklaroi Reina i cili ka edhe tre vjet në kontratën e tij në Anfield Road. “Ishte Liverpool që mori vendimin. Isha në pushime dhe askush nuk më tha asgjë. Papritmas Napoli më telefonoi dhe më tregoi se ka arritur marrëveshje me Liverpoolin dhe Liverpool më kontaktoi dy ditë më vonë duke më thënë të njëjtën gjë. Ata ndoshta kishin arsyet e tyre”, shtoi Reina.

Edhe pse është i pasigurt se çka parasheh e ardhmja, Reina nuk mund të sheh veten sërish në Liverpool.

“Jo. Për momentin është e vështirë se do të jem portier i Liverpoolit vitin e ardhshëm. Ata kanë një portier të ri, Simon Mignolet, dhe menaxheri e preferon atë para meje. Për këtë arsye unë jam këtu, kurse ai do të jetë në klub edhe vitin e ardhshëm. Nuk kam arsye të mendoj se sërish do të jem anëtar i Liverpoolit por do të shohim se çka sjell e ardhmja. Kalimi në Napoli deri më tani ka dalë i qëlluar dhe nuk pendohem që ndodhi. Por, do të kisha preferuar të thosha lamtumirë në një mënyrë tjetër”, përfundoi Reina.