Kur të qarat e të vegjëlve përplasen me muret e QKUK-së- dhoma e fëmijëve të braktisur mbahet e mbyllur me dry kur nuk ka staf, për siguri
Në derën e dhomës shkruan: “Njësia e fëmijëve pa përcjellje të nënave”. Kur afrohesh, dëgjon zërat apo frymëmarrjen e lehtë të dy foshnjave. Nuk janë thjesht thirrje për kujdes, por edhe jehonë e një të vërtete të hidhur. Në fillimdhjetorin e 2025-tës, njëri sapo kishte mbushur një muaj jetë, tjetri tetëmbëdhjetë ditë. Të dy ishin…
Lajme
Në derën e dhomës shkruan: “Njësia e fëmijëve pa përcjellje të nënave”.
Kur afrohesh, dëgjon zërat apo frymëmarrjen e lehtë të dy foshnjave.
Nuk janë thjesht thirrje për kujdes, por edhe jehonë e një të vërtete të hidhur.
Në fillimdhjetorin e 2025-tës, njëri sapo kishte mbushur një muaj jetë, tjetri tetëmbëdhjetë ditë.
Të dy ishin braktisur nga nënat e tyre, ndërsa për baballarët nuk dihej.
“Ne mundohemi t’i bindim nënat që të mos i lënë fëmijët, por në shumicën e rasteve vendimi është i prerë…”, thotë Yllka Shala, e cila udhëheq zyrën për fëmijët e braktisur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Yllka është personi i vetëm në këtë institucion që mundohet të mbajë gjallë lidhjen midis nënës dhe fëmijës – edhe kur shanset janë kundër.
Çdo ditë pune për të nis njësoj: me dosje të reja mbi tavolinë dhe me histori që rëndojnë më shumë se letrat që mban në duar.
Në sytë e saj lexohet çdo ndarje që ka ndodhur në korridoret e repartit të Neonatologjisë.
Ajo i njeh mirë hapat e nënave që hyjnë me kokën ulur, duart që dridhen kur firmosin dokumentin e fundit dhe heshtjen e rëndë që mbetet pas tyre.
“Secili rast është histori në vete, e të gjitha janë shumë të ndjeshme”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Yllka ulet përballë nënave jo si zyrtare, por si njeri.
Flet ngadalë, me kujdes, duke kërkuar një fije të vogël shprese.

U tregon për fëmijën, për fytyrën e tij, për ngjashmëritë që tashmë i sheh.
“U them se dita kur një nënë ndahet nga fëmija i saj është një ditë e errët, sikur edhe dielli të mos ndriçojë më”, rrëfen ajo.
Por, në shumicën e rasteve, fjalët nuk mjaftojnë. Vendimi është marrë shumë më herët – jashtë mureve spitalore.
Një nga rastet që nuk e harron kurrë, ishte një nënë e re që nuk pushonte së qari.
Qante para lindjes, qante pas lindjes, qante edhe kur e mbante foshnjën pranë.
Ajo ngrihej për t’u larguar, ndalej, kthehej sërish. Një lëvizje e pafund mes dashurisë dhe frikës.
“Ajo nuk ishte e ftohtë… ishte e tmerruar. Dhe në fund u largua vetëm”, kujton Yllka.

Në shumicën e këtyre historive, një e përbashkët përsëritet pothuajse gjithmonë.
Fëmijët që mbesin pas, duke qarë në dhomën e mbyllur të Neonatologjisë, janë kryesisht të lindur jashtë martese.
Yllka thotë se pas tyre fshihen histori grash të shtyra drejt cepit – pa përkrahje familjare, pa siguri ekonomike dhe të braktisura nga partnerët.
Shumë nga to nuk japin asnjë detaj për identitetin e babait, ose zgjedhin të mos flasin fare për të.
Pas momentit të braktisjes, historia e fëmijës nuk ndalet – ajo vetëm hyn në një fazë tjetër, po aq të pasigurt.
Procedurat nisin menjëherë, në heshtje, larg syve të publikut.
Në ditët e para pas lindjes, stafi i repartit njofton Qendrën për Punë Sociale në komunën nga vjen nëna, si dhe policinë.
Dosja hapet, deklaratat merren dhe gjithçka dokumentohet. Foshnja, ndërkohë, mbetet në spital.
Sipas rregullave, një fëmijë i braktisur mund të qëndrojë në spital deri në 40 ditë.
Nëse gjendja shëndetësore nuk është e mirë, kjo periudhë mund të zgjatet edhe pak. Janë ditë pritjeje, ku çdo orë kalon njësoj: qumësht, gjumë, të qara dhe mungesë e një fytyre që do ta njihte si të vetën.
Gjatë kësaj kohe, Yllka dhe stafi i Qendrës për Punë Sociale përpiqen të mbajnë të hapur edhe një derë të fundit.
Nëse nëna ndërron mendje, ligji i jep asaj ende të drejtë të kthehet dhe ta marrë fëmijën. Por kjo ndodh rrallë. Shumica e fëmijëve mbesin aty, në shtretër të vegjël, pa emra, vetëm me data lindjeje dhe numra dosjesh.
Kur kalojnë 40 ditët dhe shpresa për kthim shuhet, procedurat vazhdojnë drejt strehimit familjar.
Qendrat për Punë Sociale marrin përsipër rastin dhe fëmija dërgohet në një familje strehuese.
Yllka thotë se, viteve të fundit, vërehet një rënie e lehtë e numrit të fëmijëve të braktisur. Jo sepse arsyet që i shtyjnë nënat drejt këtij vendimi janë zhdukur, por sepse numri i lindjeve ka rënë.
Për krahasim, në vitin 2015, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë regjistruar 24.594 lindje, ndërsa 40 fëmijë janë braktisur. Një dekadë më vonë, në vitin 2024, numri i lindjeve ka rënë në 21.487, ndërsa numri i fëmijëve të braktisur në 23.

Këtë vit, deri në mes të dhjetorit, në Klinikën e Gjinekologjisë – ku funksionon edhe reparti i Neonatologjisë – janë regjistruar gjithsej 32 raste të fëmijëve të braktisur.
Yllka thotë se shifrat mund të mos tregojnë gjithë të vërtetën.
Ajo thotë se ka raste kur nëna nuk do të flasë fare… ose edhe kur flet, është shumë e revoltuar.
“Kam ardhur në QKUK për të lindur, sepse mund të kisha lindur në rrugë dhe askush të mos dinte për fëmijën tim”, shpjegon Yllka rastet me të cilat përballet.
Teksa flet, vëmendjen ia tërheqin zërat dhe lëvizjet e dy foshnjave në dhomën e dedikuar për ta.

Historitë e tyre, edhe pse të ndryshme, ndajnë të njëjtin fund: u braktisën nga nëna që nuk panë rrugëdalje.
Njëri ka lindur nga një nënë e re, vetëm 20 vjeçe, e pamundur të kujdeset për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale.
Tjetri, më i vogël dhe i dobët, ishte fëmijë i një gruaje 40-vjeçare, tashmë me dy fëmijë nën përkujdesjen e gjyshërve, ndërsa ajo ndodhej në burg. Për të tretin, nuk kishte asnjë mundësi që të siguronte kujdesin e duhur.
Realiteti bëhet edhe më i vështirë nga kushtet në repartin ku qëndrojnë.
Nga ora 7 deri në 14:00, për kujdesin e tyre përgjigjet vetëm një infermiere. Pas kësaj ore, dy infermiere të tjera marrin përsipër përgjegjësinë, duke u përkujdesur njëkohësisht edhe për 28 deri në 30 fëmijë të tjerë të repartit.

Dhoma e fëmijëve të braktisur mbahet e mbyllur me dry kur nuk ka staf, për siguri. E, kjo do të thotë se të qarat e tyre shpesh mund të mbeten të padëgjuara, pa asnjë fytyrë që t’i qetësojë.
Dhoma i ka katër shtretër të vegjël dhe Yllka lutet që ata të mbeten sa më bosh, me shpresën që çdo fëmijë të gjejë dashurinë dhe kujdesin që i nevojitet.