Kthehen grushtet në futbollin shqiptar

Ekipi i Butrintit merr një fitore shumë të vlefshme për ecurinë e tij në kampionat. Pjesa e parë mbyllet barazim pa gola, kurse në të dytën Butrinti shpërthen duke shënuar 3 gola në sfidën ndaj Memaliajt. Me këtë 3- pikësh, sarandjotët janë ngjitur në vendin e tretë në klasifikim, një më pak se Orikumi që është i pari. Sfida e djeshme është shoqëruar edhe me tension.

Sport

06/11/2017 17:37

Takimi nis i qetë, por Butrinti tenton 2 herë në minutat e 8-të dhe 9-të me anë të Bazaj dhe Dadaj, por që të dy gjuajnë jashtë. Në të 35-ën, Kola gabon në pasim, por sulmuesi Bega i Memaliajt nuk e shfrytëzon këtë rast. Në të 39-ën ka një rast shumë të rrezikshëm para portës mike, por Bazaj, 2 metra larg vijës fatale, e dërgon sferën jashtë.

Në pjesën e dytë, Butrinti futet me marsh tjetër dhe është Bazaj që hap serinë e golave në të 59-ën, ndërsa Sadushi në të 64-ën, pasi driblon edhe portierin, shënon golin e dytë. Goli i tretë u shënua me një supergoditje të Kasaj, i cili nga 30 metra shënon një gol shumë të bukur. Në minutën e 83-të ka tension në fushë midis futbollistëve, shkruan Panoramasport.

Gjyqtari Çela dënon me karton të kuq futbollistët Kaçupaj të Butrintit dhe Jaupi të miqve për goditje ndaj njëri-tjetrit. Sarandjotët shfaqen si një prej pretendentëve për kreun dhe, javë pas jave, po shfaqin një formë shumë të mirë.