Kryeziu – Letër Deputetëve: Votoni “për” ose kundër, por mos pozoni si heronj e as si tradhtarë!

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve që postin e deputetit mos ta marrin si privilegj, por si përgjegjësi. Ai ka kërkuar nga deputetët që të veprojnë në favor të zgjidhjes së krizës aktuale dhe jo në të kundërtën.

Lajme

09/05/2017 11:16

Kryeziu përmes një shkrimi në profilin e tij në “Facebook” ka kërkuar edhe nga deputetët e opozitës që të kundërshtimin e tyre ta shprehin përmes votës dhe mos të ndërmarrin veprime tjera.

“Secilin vendim që e merrni, pro/kundër demarkacionit apo pro/kundër shkuarjes në zgjedhje është e drejtë dhe përgjegjësi e juaja. Vendimi juaj nuk është as fillimi e as fundi i shtetit tonë. Prandaj, nuk keni nevojë të pozoni as si heronj e as si tradhtarë”, ka shkruar Kryeziu, transmeton lajmi.net

 

Ky është shkrimi i plotë i Kryeziut:

Letër Deputetëve,

Për deputetët e pozitës:

Të qenit deputet më së paku është privilegj- është përgjegjësi. Së paku kështu na keni thënë kur e keni kërkuar besimin tonë për t`ju veshur me përgjegjësi. Kosova nuk është në gjendje të jashtëzakonshme, ndaj më së paku ka arsye të trajtohet si e tillë. Jeni deputetë, e keni mandatin, e keni pushtetin, për të zgjidhur situata me nevoja urgjente e të jashtëzakonshme, të komplikuara e me peshë. Jo për ta bërë të kundërtën, kur shteti duket në gjendje të jashtëzakonshme, shkaku i paaftësisë, lakmisë apo huqeve tuaja personale.

Jeni bërë për t`ua përkujtuar maksimën e vjetër sipas së cilës “nëse flenë me fëmijë qohesh i lagët”. Na bëtë horë. Se latë kënd pa e lagë. I turpëruar nga ju edhe paaftësia juaj për të marrë vendime! Nuk keni nevojë të bëni skena, por duhet të merrni vendime. Duhet të mësohemi, jo vetëm NE, por edhe JU, të jetoni me vendimet tuaja.

Për deputetët e opozitës, vetëm dy fjalë:

Vendimet tuaja janë përgjegjësi edhe e drejtë e juaj kushtetuese, të mira apo të këqija. E rëndësishmja është të sillni vendime.

Secili veprim tjetër pengues i juaji kundër deputetëve/ kolegëve tuaj për të marrë vendim do jetë uzurpim i përfaqësimit edhe bie ndesh me vlerat kushtetuese.

Për të gjithë deputetët pozitë e opozitë:

Secilin vendim që e merrni, pro/kundër demarkacionit apo pro/kundër shkuarjes në zgjedhje është e drejtë dhe përgjegjësi e juaja. Vendimi juaj nuk është as fillimi e as fundi i shtetit tonë. Prandaj, nuk keni nevojë të pozoni as si heronj e as si tradhtarë.

Sot dhe nesër, më e rëndësishme është marrja e vendimit se sa çfarë vendimi merrni. Askush s’do t`ju kryqëzoj. Është e drejtë dhe përgjegjësi kushtetuese e juaja. Ndonëse fatura e vendimit tuaj në fund të fundit do ta ketë koston më të lartë për NE që ju kemi zgjedhur! /Lajmi.net/