Kryetarët e Komunave që nuk iu “mjaftoi” një mandat, vazhdojnë kandidimin edhe në zgjedhjet e 12 tetorit
Zgjedhjet lokale për kryetarët e Komunave të Kosovës do të mbahen më 12 tetor të këtij viti, me vendim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ditë më parë, Osmani ka dekretuar datën 12 tetor për t’i mbajtur zgjedhjet lokale. Pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar punën për t’u përgatitur për këto zgjedhje…

Lajme
Zgjedhjet lokale për kryetarët e Komunave të Kosovës do të mbahen më 12 tetor të këtij viti, me vendim të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ditë më parë, Osmani ka dekretuar datën 12 tetor për t’i mbajtur zgjedhjet lokale.
Pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar punën për t’u përgatitur për këto zgjedhje ndërsa po pret nga partitë që t’i zyrtarizojnë kandidatët e tyre për kryetar komune dhe ata për asamble.
Partitë politike në vend disa emra i kanë zyrtarizuar e disa prej tyre ende vetëm po përfliten, por pothuajse deri tani dihen emrat e të gjithë kandidatëve për kryetarë komune.
Këto parti, në këto zgjedhje duket se nuk janë munduar të gjejnë emra të rinj, pasi në Komunat të cilat kanë udhëhequr veçse po i vendosin në “rikandidim” kryetarët aktual.
Edhe në kryeqytetin e Kosovëns, ku udhëheq LDK me Përparim Ramën, kandidati për këto zgjedhje do të jetë i njëjtë. Rama kandidon për një mandat të dytë.
Këtë e ka konfirmuar vetë Rama i cili ditë më parë tha se pa asnjë dyshim përsëri do jetë bashkë me LDK-në, shkruan lajmi.net.
“Absolutisht që po e kemi një bashkëpunim me LDK- dhe do jemi se bashku në mandatin e dytë, e kam thënë në fillim që më duhen dy mandate ta transformoj kryeqytetin, jemi një jemi bashkë dhe do vazhdojmë”, tha Rama, teksa u shpreh i bindur se do e fitoj përsëri këtë garë “Pa asnjë dyshim”.
LDK udhëheq edhe në Komunën e Pejës, me kryetarin Gazmend Muhaxheri i cili është propozuar nga dega e LDK-së në Pejë përsëri për të kandiduar për kryetar të Komunës së Pejës.
Kjo parti, do t’i ketë në garë për kryetar komunash edhe kryetarin e Istogut, Ilir Feratin, atë të Junikut, Ruzhdi Shehun, dhe atë të Obiliqit, Xhafer Gashin.
Në garë nga LDK do të jetë edhe kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini.
Ende nuk dihet nëse do të jenë në garë për një mandat tjetër, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti dhe ai i Vitisë, Sokol Haliti.
Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha ka deklaruar se nuk do të kandidoj më për kryetar të kësaj Komune, pas disa mandateve të cilat i ka udhëhequr.
Lëvizja Vetëvendosje, udhëheq me 4 komuna në Kosovë dhe me ata kryetarë aktual do të vazhdoj të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ai i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i Shtimes, Qemajl Aliu dhe ai i Kamenicës, Kadri Rahimaj do të jenë edhe për një mandat kryetar komune nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës, udhëheq me 6 komuna në vend, ndërsa deri tani dihet se do të vazhdojnë të jenë kandidatë për kryetar komune kryetarët aktual të 3 prej tyre.
Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës së Drenasit, Shaqir Totaj i Prizrenit dhe Ferit Idrizi i Vushtrrisë janë konfirmuar që do të jenë kandidat edhe për një mandat për të drejtuar komunat e tyre.
Ndërkaq, kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza ka deklaruar se nuk do të kandidoj për një mandat tjetër në krye të Mitrovicës.
Këtë e ka konfirmuar vetë Hamza në një paraqitje televizive, shkruan lajmi.net.
“Unë nuk jam kandidat për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e ardhshme. Ka qenë e qartë edhe kur kam shkuar me garu për këtë mandat, që unë shkoj me garu me bindjen që kam me fitu për një mandat. Kjo ka qenë e ditur. Jam i lumtur që tash jam në fund të mandatit. Një mandat që përfundohet me sukses”, ka thënë Hamza.
Njëjtë si Hamza, në këto zgjedhje nuk do të garoj as kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi por se kandidat për kryetar komune nga PDK do të jetë Sabedin Vishi, nënkryetari aktual i kësaj komune.
Ende nuk dihet nëse në garë do të jenë edhe kryetarët aktual të Ferizajt, Skenderajt dhe Hanit të Elezit, pra Agim Aliu, Fadil Nura dhe Mehmet Ballazi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës udhëheq me 5 komuna në Kosovë, e në të gjitha këto, AAK do të garoj me kryetarët aktual .
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini e ka konfirmuar se do të jetë përsëri kandidat për kryetar.
“Po patjetër (do të garojë), do ta bëjë më të mirën për të fituar, por janë qytetarët ata që vendosin kë duan ta kenë kryetar”, ka thënë Gjini.
Njëjtë do të garoj AAK edhe në Klinë me kryetarin aktual Zenun Elezaj, në Deçan me Bashkim Ramosajn, Suharekë me Bali Muharremajn dhe Rahovec me Smajl Latifin.
Ende nuk janë konfirmuar të gjithë emrat për kryetarë komunash, por pritet që kjo të bëhet ditëve në vazhdim.
Zgjedhjet lokale në vend vijnë pas një procesi jo mirë të organizuar të zgjedhjeve nacionale që janë mbajtur në shkurt të vitit 2025, e të cilat ende nuk kanë “prodhuar” rezultat.
Kuvendi i Kosovës ende është i pakonstituuar pasi që partitë që kanë marr votat e qytetarëve, nuk po arrijnë në një koncensus për të votuar kryetaren e Kuvendit, kandidate e cila nga VV është propozuar Albulena Haxhiu. /Lajmi.net/