Kryetarë komunash në Francë do ta vendosin flamurin palestinez, në shpërputhje me urdhrin e Qeverisë
Kryetarët e disa qyteteve në Francë synojnë ta vendosin flamurin palestinez në ndërtesat e bashkive të tyre, duke e shpërfillur urdhrin e Qeverisë, teksa Franca po përgatitet ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Nuk është e qartë se sa qytete do t’i bashkohen kësaj nisme të hënën, pas…

Bota
Kryetarët e disa qyteteve në Francë synojnë ta vendosin flamurin palestinez në ndërtesat e bashkive të tyre, duke e shpërfillur urdhrin e Qeverisë, teksa Franca po përgatitet ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Nuk është e qartë se sa qytete do t’i bashkohen kësaj nisme të hënën, pas thirrjes së liderit socialist, Olivier Faure, për ta ngritur flamurin palestinez, pavarësisht paralajmërimeve nga Ministria e Brendshme kundër këtij veprimi.
Franca është vendi me popullsinë më të madhe hebre edhe myslimane në Evropë.
Por, thirrja e Faures ka marrë hov, pasi flamujt palestinezë janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në Francë gjatë pothuajse dy vjetëve të luftës në Gazës.
Banderola palestineze u panë këtë javë gjatë demonstratave në një ditë të madhe protestash në të gjithë vendin, ku u kritikuan disa politika të presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe Qeverisë së tij.
Lufta në Gazë dhe konflikti më i gjerë izraelito-palestinez pritet të jenë në krye të agjendës së liderëve botërorë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që nis të hënën.
Palestinezët kanë thënë se shpresojnë që të paktën edhe 10 vende të tjera do ta njohin palestinez, duke iu shtuar më shumë se 145 vendeve që e kanë njohur tashmë.
Mathieu Hanotin, kryetari i bashkisë së Saint-Denis, një periferi e Parisit ku ndodhet stadiumi kombëtar i futbollit, tha se do ta vendosë flamurin palestinez në bashkinë e qytetit si një gjest solidariteti me popullin palestinez.
Në Francën perëndimore, qyteti i Nantes gjithashtu planifikon të ngrejë flamurin palestinez në ndërtesën e bashkisë, bëri të ditur kryebashkiakja Johanna Rolland, socialiste.
“Për bashkitë që duan të bashkohen, përmes një gjesti simbolik, me njohjen nga Franca të shtetit palestinez, unë besoj se kjo ka kuptim. Do ta bëj pa hezitim”, tha ajo.
Në një letër dërguar përfaqësuesve të shtetit në rajone, Ministria e Brendshme e Francës u kërkoi atyre të kundërshtojnë vendosjen e flamujve palestinezë në bashki dhe ndërtesa të tjera publike, duke përmendur rrezikun e futjes së një konflikti ndërkombëtar në tokën kombëtare.
“Parimi i neutralitetit në shërbimin publik ndalon shfaqje të tilla”, tha Ministria e Brendshme, duke shtuar se çdo vendim i kryetarëve të bashkive për të valëvitur flamurin palestinez duhet t’i referohet gjykatave administrative.
“Muri i përparmë i një bashkie nuk është tabelë reklamuese. Vetëm flamuri trengjyrësh – ngjyrat tona, vlerat tona – ka të drejtë të përfaqësohet në atë që mbetet, për ne, një shtëpi e përbashkët”. tha të shtunën ministri i Brendshëm Bruno Retailleau.
Ian Brossat, zëdhënës i Partisë Komuniste Franceze, akuzoi Retailleaun për kundërshtim të qëndrimit zyrtar të Francës.
“Ministri i Brendshëm nuk pajtohet me diplomacinë franceze. Ai nuk mbështet njohjen e shtetit palestinez, ndryshe nga presidenti”, tha Brossat për BFM TV.
Në qershor, kryebashkiaku i Nicës, Christian Estrosi, i cili kishte vendosur flamujt izraelitë në bashkinë e qytetit të Rivierës për të treguar mbështetje për pengjet e mbajtura nga Hamasi, u detyrua me vendim gjykate që t’i hiqte ata.
Kryetari socialist i Saint-Ouen, një periferi tjetër e Parisit, Karim Bouamrane, tha se do të vendosë si flamurin izraelit, ashtu edhe atë palestinez në ballë të bashkisë së tij, në përpjekje për të përcjellë një mesazh paqeje.
“Ne jemi një komunitet, komuniteti republikan”, tha ai për radion RMC.
“Komuniteti që unë përfaqësoj është ai i paqes: Nuk dua të vë përballë myslimanët me hebrenjtë, as aktivistët me mbështetësit e Hamasit dhe kundërshtarët e [Benjamin] Netanyahut, kryeministrit izraelit”, shtoi ai. /REL/