Kryesia e LDK-së i jep mbështetje të plotë kandidaturës së Bekim Sejdiut për president

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë mbështetje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, pas marrëveshjes së arritur mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, deputeti Berat Rukiqi deklaroi se kandidatura e Sejdiut ka marrë “unanimitet të plotë” brenda strukturës drejtuese…

Lajme

01/09/2026 15:53

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë mbështetje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, pas marrëveshjes së arritur mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, deputeti Berat Rukiqi deklaroi se kandidatura e Sejdiut ka marrë “unanimitet të plotë” brenda strukturës drejtuese të partisë, transmeton lajmi.net.

Mbledhja e Kryesisë u zhvillua një ditë pasi dy subjektet politike njoftuan marrëveshjen për kandidatin e përbashkët presidencial. Sejdiu, profesor dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, e ka pranuar kandidaturën për postin e presidentit.

Pas Kryesisë, LDK-ja pritet ta diskutojë marrëveshjen edhe në Grupin Parlamentar. Mbledhja e grupit ishte paralajmëruar për orën 16:00.

Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së synon të zhbllokojë ngërçin institucional në vend. Të dyja partitë kanë bërë thirrje që pa vonesa të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të procedohet me zgjedhjen e presidentit të ri.

Megjithatë, brenda LDK-së janë dëgjuar edhe zëra që kanë kërkuar më shumë diskutim për mënyrën se si është përcaktuar kandidatura. Nënkryetari i partisë, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se nuk e konteston figurën e Sejdiut, por ka thënë se emri i tij do të duhej të diskutohej paraprakisht në Këshillin e Përgjithshëm.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit. LVV-ja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18, dhe së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë mund të sigurojnë numrin e nevojshëm për zhvillimin e procesit./lajmi.net/