Kryeprokurorja West akuzon Thaçin dhe të tjerët për ndërhyrje në dëshmi në Gjykatën Speciale
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot po vazhdojnë deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, gjatë fjalës hyrëse ka deklaruar se: “Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë…
Lajme
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot po vazhdojnë deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, gjatë fjalës hyrëse ka deklaruar se: “Ata në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë shkelur vendimet gjyqësore që kanë pasur për synim që dëshmitarët dhe viktimat të japin dëshmi pa pasur frikë dhe që të kenë besimin se do t’u ruhej identiteti”, transmeton lajmi.net.
Ajo ka shtuar gjithashtu: “Thaçi akuzohet se në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar që të ndërhyjë në dëshmitë e dëshmitarët dhe ka shkelur të gjitha rregullat e gjykatës që kanë pasur të bëjnë me mbrojtjen e informacionit konfidencial. Të bashkëakuzuarit kanë marrë pjesë në këto krime”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Smakaj, Kilaj dhe Fazliu dyshohen për tentim të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi akuzohet për dy pika të veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës. Ish-presidenti Thaçi akuzohet për tri vepra kundër rendit publik dhe tetë akuza për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, përfshirë përpjekjet për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm dhe seanca është në zhvillim e sipër./lajmi.net/