Kryeprokurori Lumezi merr mbështetjen e Ambasadës amerikane në Kosovë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, sot ka pritur në takim, ushtruesen e detyrës së ambasadores së SHBA-ve në Kosovë, Jennifer Bachus.

Lajme

06/08/2015 18:23

U.d. e ambasadores Bachus pasi ka vlerësuar punën e deritashme të kryeprokurorit Lumezi, ka thënë së Ambasada e SHBA-ve në Kosovës, do të vazhdojë mbështetjen për sistemin prokurorial të Kosovës në shumë fusha edhe në të ardhmen, ndërsa veçoi luftën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe krimeve të luftës.

Mbështetje nga Ambasada e SHBA-ve është premtuar edhe për trajnimin e prokurorëve të ri, të cilët pritet të integrohen në sistemin prokurorial të Kosovës, por edhe të atyre që veç e ushtrojnë punën e prokurorit.

Kryeprokurori Lumezi, pasi ka falënderuar ushtruesen e detyrës së ambasadores, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që po i japin sistemit prokurorial të Kosovës, ka thënë se thellimi i bashkëpunimit në mes të Ambasadës amerikane dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, do të ishte i mirëseardhur për të, në punën, siç tha ai, që është duke u bërë në luftë kundër dukurive negative dhe për sfidat që mund të paraqitën në të ardhmen.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i cili pasi vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës amerikanë për sistemin e drejtësisë së Kosovës, në veçanti për atë prokurorial, tha se Kryeprokurori i Shtetit duhet që vazhdimisht të ka mbështetje të fuqishme nga të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, që sipas tij, për të arritur qëllimet e përbashkëta, e që janë lufta kundër korrupsionit dhe dukurive tjera negative, që janë të paraqitura në shoqërinë kosovare./lajmi.net