Kryen gjenocid në Kosovë por sot Gjuriq bënë propagandë në OKB: Serbët dhe shqiptarët nuk janë të destinuar të jenë armiq

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se parasysh se sa i vështirë mund të jetë dialogu Kosovë-Serbi, ai është i vetmi opsion i vetëm për një të ardhme më të mirë. Gjuriq në përmbyllje të takimit për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka reaguar ministres në detyrë,…

Lajme

21/10/2025 18:48

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se parasysh se sa i vështirë mund të jetë dialogu Kosovë-Serbi, ai është i vetmi opsion i vetëm për një të ardhme më të mirë.

Gjuriq në përmbyllje të takimit për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka reaguar ministres në detyrë, të Kosovës Donika Gërvalla, e cila tha se Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë.

Ai tha se presidenti i Serbisë asnjëherë nuk e ka dhënë ndonjë deklaratë të tillë.

“Serbët dhe shqiptarët nuk janë të destinuar të jenë armiq. Pamarrë parasysh se sa i vështirë mund të jetë dialogu, dialogu është i vetmi opsion, dialogu është diçka që besojmë dhe dialogu duhet të jetë për një të ardhme më të mirë“, tha ai.

Gërvalla gjatë këtij takimi u shpreh se në vitin 2023, Serbia tregoi gatishmërinë për përdorim force, duke dërguar grupime paramilitare të pajisura me armatim anti-tank dhe ajror dhe duke synuar me dhunë pjesë të territorit verior të Kosovës.

“Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë. Vuçiqi mund të pengohet, jo të bindet. Mentaliteti nuk është diçka që ndryshon vetëm nëse flisni për të. Në vitin 2023 Serbia kreu një sulm ushtarak kundër Republikës së Kosovës duke dërguar grupet paramilitare të pajisura nga Serbia me pajisje anti tank ajrore, me plane për të marrë veriun e territorit tonë me dhunë. Komandanti i atij inkursioni ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën ndërkohë, Vuçiqi e mban atë si mysafir nderi. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion në regjim, nëse nuk ka pasoja, situata do të eskalojë edhe më tutje sepse nuk kanë kut ti frikësohen. Ministri i punëve të jashtme Gjuriq e di këtë shumë mirë, ai nuk ka probleme me vrasës dhe me dhunues. Ai mund të ketë zë të butë zonja dhe zotërinj por ai u ul për kafe pas sulmit në Banjskë me Radojiçiqin.”, tha ajo

Gërvalla komentoi gjithashtu arrestimin e ish-policit kosovar Arbnor Spahiut në Serbi, duke e cilësuar këtë rast si akt ndëshkimi dhe ndjekje ndaj njerëzve që morën pjesë në mbrojtje të Kosovës gjatë sulmeve të paramilitarëve. Ajo i bëri thirrje autoriteteve serbe ta lirojnë menjëherë Spahiun.

Përndryshe, ajo që dihet është se Serbia ka blerë armatim nga Kina dhe Rusia, me arsyetimin për vetmbrojtje. Kurse, drejtues të institucioneve të Kosovës, kanë theksuar se në gjithë historinë, Kosova asnjëherë nuk ka sulmuar apo pretenduar territor të ndonjë vendi tjetër.