Kryeministri Kurti nuk paraqitet në Prokurorinë Speciale, vazhdon të jetë jashtë vendit

Prokuroria Speciale i çoi kryeministrit Albin Kurti një ftesë për t’u paraqitur sot në ora 09:00. Edhe pse ka kaluar nga ora ku kryeministri pritej të paraqitej, para Prokurorisë ai nuk është parë ende. E siç mëson lajmi.net kryeministri Kurti s’do të mund të paraqitet në orën e thirrur për intervistim. Kryeministri Albin Kurti vazhdon…

Lajme

16/12/2024 10:03

Prokuroria Speciale i çoi kryeministrit Albin Kurti një ftesë për t’u paraqitur sot në ora 09:00.

Edhe pse ka kaluar nga ora ku kryeministri pritej të paraqitej, para Prokurorisë ai nuk është parë ende.

E siç mëson lajmi.net kryeministri Kurti s’do të mund të paraqitet në orën e thirrur për intervistim.

Kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë jashtë vendit, në kuadër të vizitës që pati në Kroaci dhe Slloveni dhe kësisoj pamundësohet paraqitja e tij në thirrjen e Prokurorisë Speciale.

Nuk dihet nëse kryeministri Kurti do të paraqitet posa të kthehet, apo se kur do të kthehet në Kosovë.

Para objektit të Prokurorisë Speciale janë një numër i i madh i mediave duke përcjellë nga afër këtë ngjarje.

Ndryshe në ftesën e dërguar për kryeministrin Kurti javën e kaluar theksohej se ai është ftuar si dëshmitarë, por jo në cilin rast. në media është raportuar se dëshmia e Kurtit do të merret në lidhje me hetimet që po bëhen për rezervat e shtetit.

Rezervat shtetërore u bënë fillimisht kryelajm në gusht të vitit 2023, kur flitej për keqpërdorimin e tyre.

Atëkohë u arrestuan disa persona, në mesin e të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Hajdari.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga portali “Nacionale” në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha ai dhe akuzoi, siç u shpreh, “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara për mbështetje të krimit”.

Tetë muaj më vonë, në prill të këtij viti, vetë Hajdari u ftua për intervistim nga Prokuroria Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore.

Në paraqitjen e saj para prokurorëve, ajo e mbrojti veten në heshtje. Opozita kërkoi dorëheqjen e Hajdarit, por ajo mohoi se ka arsye për një gjë të tillë.

Çka janë rezervat shtetërore?
Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme – si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave – por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.

Ato i menaxhon Departamenti i Rezervave Shtetërore të Mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë./Lajmi.net/