Kryeministri fajëson LDK-në, taksa nuk hiqet derisa nuk ka pajtim mes koalicionit qeverisës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me 26 shkurt të këtij viti, kishte thënë se më 15 mars 2020 do të hiqet tarifa 100 për qind në lëndën e parë që importohet nga Serbia.
Lajme
Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodhi, e për këtë Kurti ka fajësuar partnerin e koalicionit qeverisë, Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi kjo e fundit po kërkon heqjen e tërësishme të taksës.
Si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy partnerëve në koalicionin qeverisës, taksa nuk do të hiqet të paktën edhe për një kohë të pacaktuar.
Kështu kanë thënë për lajmi.net nga Qeveria e Kosovës.
Krejt kjo, pasi LDK nuk e mbështetë, propozim vendimin e Kurti për largim gradual dhe të kushtëzuar të tarifës doganore me suspendimin e kampanjës diplomatike të Serbisë kundër shtetit të Kosovës, dhe vendosje të masave reciproke. Ata kërkojë që taksa të hiqet plotësisht, ashtu siç është kërkuar edhe nga ndërkombëtarët.
Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se kryeministri i vendit këmbëngul që një vendim i peshës së këtillë ka nevojë që të burojë nga bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet partnerëve të koalicionit.
“Pavarësisht përpjekjeve të të dy partnerëve të koalicionit për të arritur deri te një vendim i përbashkët lidhur me tarifën për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Propozim vendimi i Kryeministrit Kurti për largim gradual dhe të kushtëzuar të tarifës doganore me suspendimin e kampanjës diplomatike të Serbisë kundër shtetit të Kosovës, dhe vendosje të masave reciproke vazhdon të mos e ketë mbështetjen e partnerit qeverisës-LDK-së. Diskutimi mbetet i hapur dhe të dy palët shprehin bindjen se një gjuhë e përbashkët mund të arrihet. Kryeministri i vendit këmbëngul që një vendim i peshës së këtillë meriton, por mbi të gjitha ka nevojë, që të burojë nga bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërmjet partnerëve të koalicionit”, ka thënë Kryeziu.
Nga zyra për media e kryeministrit Kurti, po ashtu thonë se një vendim mbi tarifën do të merret vetëm kur ka një pajtim mes koalicionit qeverisës.
“Një vendim mbi tarifën për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina do të merret vetëm atëherë kur ka një pajtim të gjerë në mes koalicionit qeverisës dhe i cili për qëllim ka vetëm mbrojtjen e interesave nacionale të Republikës së Kosovës, interesa këto të cilat në vetvete kanë për qëllim mirëmbajtjen e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë”, ka thënë tutje Kryeziu.
Mirëpo, LDK këmbëngulë në heqjen e tërësishme të taksës.
Zëvendëskryeministri nga LDK, Avdullah Hoti gjatë ditës së djeshme ka thënë se taksa duhet të hiqet menjëherë dhe atë plotësisht.
“Taksa duhet të hiqet sot, menjëherë, plotësisht. Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA. Lojërat politike se a jemi me BE apo me ShBA nuk i shërbejnë forcimit të shtetësisë së Kosovës e të lidhjeve me partnerët tanë”, ka shkruar Hoti.
E vendimin e Qeverisë, për mos-heqjen e taksës, po e shohin si të gabuar edhe analistë politik në vend.
Analisti Blerim Burjani, duke folur për lajmi.net ka thënë se për shkak të kryeneçësisë së partnerit tjetër, LDK është ne pozite të komplikuar të marrë së bashku përgjegjësi apo të dal nga koalicioni.
Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti se po prish miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Definitivit duket se nuk ka rrugë për zgjidhje, kryeneçësia e partnerit tjetër nuk e lejon zgjidhjen. LDK është në pozite të komplikuar të marrë së bashku përgjegjësi apo të dal nga koalicioni. Fatkeqësisht ky njeri, pra kryeministri është i njëjti lloj, si ai me herët, Ramush Haradinaj. Këta dy nuk mund të duken politikanë të arsyeshëm për ketë shekull dhe për politiken ndërkombëtare, këta jetojnë me pikëpamje romantike dhe patriotike. Në kohën në të cilën jetojmë ne dhe politikanet botëror nuk duken romantik e as idealist por pragmatik dhe progresiv, nëse nuk mund të shtysh me tutje me mirë me dhanë dorëheqje, se sa me ndal “trenin” dhe trendin e politikës ndërkombëtare”, ka thënë Burjani.
Ai thotë se Kurti, mund ta shtyje edhe për dy muaj çështjen e taksës, për shkak të koronavirusit, mirëpo siç tha ai, kjo qeveri nuk mund ta shtyjë gjatë, me ketë pikëpamje për taksen dhe dialogun
“Kosova dhe Serbia të gjithë bota e din se nuk vendosin për fatin e tyre sipas dëshirave të tyre por sipas rendit botëror dhe fuqive të mëdha. Albini për shkak korona virusit mund ta shtyje edhe dy maj me së shumti, por partitë parlamentare duhet të gjejnë zgjidhje ose qeveri teknike ose qeveri të zgjeruar deri në zgjedhje tjera të jashtëzakonshme. Kjo qeveri nuk mund ta shtyjë me gjatë se dy muajt e ardhshëm me ketë pikëpamje për taksen dhe dialogun. Albini nuk lëshon pe për taksen është në natyrën e tij politike dhe karakterin romantik idealist, pra këtu nuk ka me idealizim e as patriotizëm, por ka veprim me urgjent për te mos prish miqësinë me SHBA dhe tërë dynjanë” tha ai.
Ndërkohë, Shtete e Bashkuara të Amerikës, ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovën. /Lajmi.net/