Kryefamiljari i sëmurë nuk i ushqen dot gjashtë fëmijët
"Si t'i lë fëmijët të vdesin urie dhe unë të shpenzoj për terapi. Por, edhe kështu dita-ditës shëndeti im po bëhet më i dobët dhe kam hallin e familjes", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" Florim Vitia, i cili apelon për ndihmë së paku derisa gjendja e tij shëndetësore t'i përmirësohet dhe të kalojë më mirë Muajin e shenjtë të myslimanëve,raporton gazeta Kosova Sot
Lajme
Tetë anëtarët e familjes Vitia nga Sllovija e Lipjanit po jetojnë pa kushte më elementare për jetë, e në disa raste ata po i bëjnë ballë edhe urisë me barkun bosh. Ishin të gjashtë fëmijët e kësaj familjeje ata, të cilët jeta i kishte përplasur keq, e për t’u siguruar një jetesë normale të cilën e meritojnë, të dy prindërit nuk po arrijnë ta bëjnë këtë gjë. Babai i këtyre fëmijëve, Florimi, thotë se tashmë ka mbetur edhe i paftë për punë, e ndihma sociale prej 100 eurosh thekson se nuk del as për një javë. Sipas kryefamiljarit Florimit, ndihma sociale nuk ju siguron as ushqimin e lëre më të mendohet për veshmbathjen e gjashtë fëmijëve të vegjël. “Më vjen mirë që institucionet kanë menduar edhe për ne, duke na ofruar këtë ndihmë sociale, por t’ju them të drejtën me këtë shumë as bukë nuk po kemi mundësi të sigurojmë gjatë gjithë muajit e të mos flasim për nevojat e tjera”, është shprehur Florimi.
Nuk ka para të vizitohet te mjeku I shtrënguar nga jeta në skamje, ky burrë thotë se nuk ka mundësi as ta vizitojë mjekun, përkundër sëmundjeve prej të cilave ai vuan. “Si t’i lë fëmijët të vdesin urie dhe unë të shpenzoj për terapi. Por, edhe kështu dita-ditës shëndeti im po bëhet më i dobët dhe kam hallin e familjes”, është shprehur Florimi. Ky i fundit apelon për ndihmë së paku derisa gjendja e tij shëndetësore t’i përmirë- sohet. Thekson, se mielli, sheqeri, kripa dhe çka jo tjetër janë në mungesë në shtëpinë e tij. Në anën tjetër me vaj në buzë e filloi bisedën edhe zonja në këtë shtëpi Nadire Vitia. Ajo thotë se jeta i është mërzitur nga skamja e përditshme, kurse thekson se janë fëmijët ata, të cilët po e “varrosin të gjallë” çdo ditë. “Po kërkojnë kushte më të mira, e ne nuk kemi as bukë mjaftueshëm t’u japim. Nuk kemi as miell, as kripë, e as vaj, përderisa po afrohet Ramazani. Unë kam hallin e fëmijëve, sepse familjarët pak ose hiç nuk na vizitojnë për iftar se e dinë se nuk kemi. Unë agjëroj, po shpirti im e di se si ia dal”, është shprehur kjo grua që në moshë nuk ishte e vjetër, por që në supe mbante sigurisht se shuma barra, si për bashkëshortin e sëmurë e gjithashtu edhe për të gjashtë fëmijët ende të moshës së mitur. I nis fëmijët pa ngrënë në shkollë Floria ka theksuar se mjaft të vështire e ka edhe ditën kur i ndodh që t’i nisë fëmijët pa ngrënë në shkollë. “Këto ditë nuk mund t’i përshkruaj. A ka më të vështirë se kur një nënë e di se e ka fëmijën e uritur dhe nuk ka mundësi ti dalë zot siç, thuhet në popull”, ka thënë ajo derisa me njerëz dorë po i largonte lotët nga sytë. E gjithashtu ajo ka njoftuar se po aq edhe të vështirë e ka kur fëmijët i kërkojnë rroba të reja, kurse asnjëherë nuk arrin t’ua plotësojë këtë dëshirë. “Nuk di se çka është për një nënë t’i vesh fëmijët me rroba të reja
Fëmijët e mi vishen vetëm me rroba, të cilët ua ka falur dikush, e që në fakt nuk janë të reja. Por, edhe për këtë u jam falënderuese, sepse vetë nuk kam mundësi t’ua blej ato”, është shprehur Nadirja, me zemër të thyer. Sido që të jetë, krejt një e mirë që kishte ndodhur në këtë familje ishte ndërtimi i një shtëpie të re, përderisa mësuam se më parë familja kishin jetuar në një shtëpi tmerri siç e quanin ata. Shtëpia e re e ndërtuar nga një humanist gjerman ua kishte zgjidhur problemin e banimit, por jo edhe të kushteve brenda saj. Shtëpia që as tani nuk i shpëtonte lagështisë kishte nevojë për një riparim të brendshëm.
Për të gjithë ata, të cilët kanë mundësi t’i ndihmojnë kësaj familjeje këtë mund ta bëjnë duke thirrur në numrin e telefonit: 045 880 620.
(Kosova Sot)