Kronika e një vrasje të paramenduar nga Merxhan Avdyli dhe i biri i tij
Drejtorin e gazetës “Express”, Berat Buzhalën, e kanë kërcënuar, e kanë sharë, e kanë fyer publikisht, në llogarinë e tij në “Facebook”, mijëra veta deri më sot. E kanë sharë, e kanë fyer, e kanë kërcënuar, mijëra veta në llogarinë e tij në “Facebook”, edhe Fisnik Ismailin.
Opinion
I kanë sharë sepse kanë shprehur një qëndrim personal, kryesisht për figura publike, herë me ironi, herë me sarkazëm. Këta dy veta i mora shembull për ta ilustruar një rast tjetër. Rastin tim. Rastin e sotëm që një i biri i Merxhan Avdylit, që ka emrin Deti Avdyli, që nuk e di sa vjet ka e as sa ka mbledhur mend në kushtet e shtëpisë, pranë familjes dhe në shkollën ku ka mësuar, pranë mësuesve dhe shokëve, dy herë me fshehje të numrit e një herë tjetër me numër që më paraqet në monitor të telefonit (045 438 7..), më ngre zërin në telefon, më ulërin, më bërtet rreptë, më fyen, më shanë në nënë, në grua, në motër, në vajzë, në gjithçka dhe në asgjë.
E lus të ma japë emrin. Më thotë se është i biri i Merxhan Avdylit, se unë, as sot e as kurrë, nuk bën e as nuk guxoj ta përmend emrin e babait të tij askund, as punën që bën ai kudo ku punon e vlerëson, as ta “kërcënoj” më në asnjë rast. E pyes për çfarë kërcënimi e ke fjalën?! Para se të thotë fjalë të arsyeshme, sërish ngre zërin në telefon, ulërin, bërtet rreptë, fyen, shanë në nënë, në grua, në motër, në vajzë, në gjithçka dhe në asgjë. Më thotë t’i shkoj në Viti dhe, sipas tij, aty të marr një plumb në kokë nga duart e tij. Para se ta mbyll telefonin, ma tërheq vërejtjen që mos të ndodhë kurrë më kështu, përndryshe vjen edhe në Prishtinë. Nëse është nevoja, edhe këmbë.
E kur të vjen këtu, kërdinë e bën: vranë e masakron, ata që i lë gjallë, i shkokërdhon dhe, nëse ndonjë e lë gjallë pahiri, nuk i vyen ai kujt më gjë, sepse e bën për pesë pare. Kësi ndëshkuesi, që ka rritur Merxhani në shtëpi, nuk kam parë as në filmat aksion, as në filmat horrorë, as në filmat pornografikë, as në ata kriminalistikë.
Sapo ai i ndal kërcënimet, më paraqitet edhe Merxhani në linjën e mesazhit në “Facebook”. Them, fillimisht, ta pyes se a është në dijeni për telefonatën që biri yt më bëri dhe që më ngrehu zërin në telefon, që ulëriu, që fyeu, që shau në nënë, në grua, në motër, në vajzë, në gjithçka dhe në asgjë. Menjëherë më tha Merxhani, Merxhan Avdyli, profesori i Universitetit të Prishtinës, i Gjilanit, njeriu që ka një titull doktor shkence, njeriu që, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga ministri Kujtim Gashi, është thirrur ta vlerësojë letërsinë e sivjetme shqiptare, autorët për vepër jetësore e t’u japë çmime poetëve, prozatorëve, kritikëve, përkthyesve e shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë, se është në dijeni dhe se, nga tash e tutje, “jemi një me një” pas asaj që, dy ditë më parë, “ke shkruar në ‘Facebook’”. E unë i kam shkruar këto tri fjali: “Profesori me këmbë përpjetë në Prishtinë, në Gjilan, në Prizren…
Një analizë të gjatë, për Merxhan jurinë, pas të mërkurës (pas datës 8).
E pamja, për të, zgjatë 700 ditë”.
Merxhani, detyrën zyrtare që ka pranuar nga ministri Kujtim Gashi, e përzien me personale. Unë shkruaj për punën e tij si anëtar jurie, për shpërblimet që ua jep miqve të vet dhe që shpërblen botimet e djalit të vëllait, ai nëpërmjet djalit të vet, edhe bindjes së vet se tash e tutje “jemi një me një”, pos që fyen, edhe më kërcënon me vrasje: i jep mbështetje djalit për shkrepje të 15-shes dhe më çojnë të fala që kurrë më mos të shkruaj për detyrat zyrtare të tij, që mos t’i komentoj vendimet e jurisë së MKRS-së për çmimet që jep. Dmth., e prish shijen e letërsisë për miqësi dhe për nepotizëm. E përdor Ministrinë e Kulturës, paratë e saj dhe çmimet për veprat më të mira vjetore, për miqësi dhe për nepotizëm. Unë e paralajmëroj publikisht se kështu nuk duhet të bëjë, ai më shkruan privatisht në “Facebook”, djali i tij me telefonon e më kërcënon që ta mbyll gojën.
Ta mbyll gojën në telefon, po. Këtu, jo. Dhe askund tjetër, jo.
Unë 15-she nuk kam, Merxhan. As plumba. Jo për të shkrepur në koka të shqiptarëve. Jo për të shkrepur në njerëz pas luftës. Kam këtë kulturë shkrimi dhe publikimi. Kam edhe këtë mendje të çeliktë, edhe këtë vendosmëri të madhe që, rastet e tilla, nuk i mbyll as si dëshiron ti, as si dëshirojnë mesitët e tu. Këtyre kërcënimeve që shprehni ju, njëmendërisht, u lëshoj një gaz të paparaparë e që ju ngufat. Por, dua që, nga këto kërcënime tuajat të distancohen ministri Kujtim Gashi, pastaj edhe ata me të cilët do të mblidhesh të mërkurën: Hysen Matoshi, Shkëlqim Millaku, Qazim Thaqi dhe Brikena Ceraja.
P. s.:
Miq,
Nuk e bëra publik këtë rast se u frikësohem Merxhanit dhe djalit të tij e që të jeni në dijeni ju, mediat dhe policia. Absolutisht, asnjë fije, asnjërit. Jua publikova që të merrni vesh kush e vlerëson letërsinë e vitit 2017, kush ligjëron në universitet publik dhe çfarë është në gjendje të bëjë po i the se po i shpërblen me çmime miqtë dhe punën e familjarëve.
Kaq sonte.
Merxhan Avdyli