Kroacia në shtëpi, Meksika përpara

Eksperienca e Kroacisë në Botëror ka marrë fund në fazën e grupeve. Ekipi i Niko Kovac pësoi humbje nga Meksika, 3:1, për t’u eliminuar nga ky eveniment. Ndërkohë, meksikanët iu bashkuan Brazilit në të tetën e finales.

Sport

24/06/2014 00:52

Meksika iu bashkua Brazilit, duke u bërë skuadra e dytë nga Grupi A që shkon në të tetën e finales së Botërorit.

Meksikanët e mposhtën Kroacinë, 3:1, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve dhe me këtë rast, kroatët do t’i bëjnë gati valixhet dhe të kthehen në shtëpi.

Pas tërthorëses që e qëlloi Herrera, ekipi bardh e gjelbër kreu gjithçka në 20 minutat e fundit.

Ata e gjetën golin e parë në minutën e 72-të përmes qendërmbrojtësit Rafael Marquez, që shënoi me kokë. Pas vetëm tre minutash, Andres Guardado e shënoi golin e dytë, kurse Javier Hernandez, me golin e shënuar në minutën e 82-të, i dha fund këtij takimi.

Ivan Perisic e shënoi golin e nderit për kroatët në minutën e 87-të. Kroati Ante Rebic u ndëshkua me karton të kuq në fund, pas një ndërhyrjeje të ashpër.

Falë kësaj fitoreje, ekipi gjelbër e bardhë, e ruajti pozitën e dytë, përmes së cilës e pret një biletë në mesin e 16 më të mirëve të këtij evenimenti.