Kritikat e SHBA-së për qeverinë Kurti, Muja tenton të ndërroj temë kur pyetet nga gazetarët: Urime viti i ri

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka thirrur sot konferencë për media pas raportimeve për importin e energjisë elektrike nga Serbia. Ka qenë ish-deputeti i LVV-së, Armend Muja, i cili para gazetarëve ka mohuar raportimin se gjatë qeverisjes së partisë së tij ka “dominuar” importi nga Serbia, për çka e drejtoi gishtin në drejtim të qeverive të kaluara.…

Lajme

03/12/2025 14:41

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka thirrur sot konferencë për media pas raportimeve për importin e energjisë elektrike nga Serbia.

Ka qenë ish-deputeti i LVV-së, Armend Muja, i cili para gazetarëve ka mohuar raportimin se gjatë qeverisjes së partisë së tij ka “dominuar” importi nga Serbia, për çka e drejtoi gishtin në drejtim të qeverive të kaluara.

Mos certifikimi i Listës Srpska, ka ngjallur reagime të ashpëra nga Ambasada e sHBA-së, të cilët thanë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse.

“Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.

Për këtë në fund gazetarët, pyetën Mujën edhe reagimeve të fundit të ambasadave, për çka Muja insistoi të mos bëhen këto pyetje në një konferencë të thirrur për temën e energjisë.

“E kom parasysh rolin dhe rëndësinë e juaj si gazetarë, mirëpo për hir të mosdeformimit të arsyes pse e kemi thirrë këtë konferencë, do të limitohesha vetëm në pyetjet mbi arsyen që ka qenë aspektet e energjisë elektrike, por e kuptoj nevojën për informacion dhe pas përfundimit të kësaj, mund ta jap një deklaratë për këtë çështje”, tha Muja.

Mirëpo në mënyrë që gazetarët mos të insistojnë më tepër Muja tha se do për këtë temë do të jetë i disponueshëm pas konferencës.

Në fund, Muja tha se nëse nuk shihet me gazetarët deri në fund të vitit, urimin po u bën tash në fillim të muajit.

“Në rast se nuk shihemi në ndonjë konferencë të radhës, më lejoni që të shfrytëzoj rastin t’ju uroj një vit të ri, t’ju uroj shëndet e begati juve dhe familjeve të juaja”, deklaroi Muja. /Lajmi.net/